Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur asnjë plan konkret për pandeminë, teksa theksoi se njëjtë nuk ka plan as për ekonominë.
Haradinaj shkruan se ekonomia, e posaçërisht sektori privat është në vështirësi dhe ka nevojë për intervenim nga shteti.
“Qeveria e Kosovës ashtu siç nuk kishte asnjë plan konkret për pandeminë, nuk ka asnjë plan as për ekonominë. E kemi theksuar edhe në konferencën për media për temën e Ekonomisë, që pakoja e ashtuquajtur e ‘Ringjalljes’, nuk e ka as fokus e as qëllim ekonominë. Me masa tërësisht sociale, kjo pako ka të vetmin qëllim “ringjalljen” e votuesve, të cilët për pak muaj e kanë kuptuar që kanë votuar për mashtrim”, shkruan Haradinaj.
Tutje, ai thotë se ekonomia e Kosovës, posaçërisht sektori privat është në vështirësi dhe kërkon intervenim direkt për rimëkëmbje nga shteti.
Ai ka ftuar partitë politike të merren me çështjen e ekonomisë.
“Pavarësisht që para nesh janë zgjedhjet lokale, është nevojë emergjente të merremi me ekonominë. Në të kundërtën, shteti, komunat dhe qytetarët do t’i vuajnë pasojat për shumë vite të ardhshme Në mungesë të reflektimit të Qeverisë, ftoj partitë politike të përkushtohemi bashkërisht”, shkruan Haradinaj.