“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta shfrytëzojnë vizitën e të parës së shtetit Vjosa Osmani dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, për t’i dhënë mesazhe të qarta Kosovës, për çështjen e dialogut dhe gazsjellësin” ka thënë profesori universitar, Përparim Gruda.
Gruda thotë se kjo është vizitë e rregullt e cila do të sjellë rezultate konkrete.
“Vizita e presidentes Osmani së bashku me ministren e jashtme Gërvalla në ShBA është në kuadër të vizitave të rregullta, që bëjnë krerët tanë institucional, është vizitë e rregullt sepse është në kuadër të vizitave të rregullta që kanë ndodhur, por këtë herë mendoj që temë boshte do të jenë, diskutimi mbi çështjes e sigurisë, sigurisë energjetike, për shkak se Osmani kishte një deklarim para se të nisej me çështjen e gazit që duhet të bashkëpunohet me partnerët strategjik dhe ishte mendim ndryshe prej asaj që mendon Qeveria. Dhe çështja e dytë do të jetë e dialogut me Serbinë pasi që ndodhet në një fazë të kontradiktave të mëdha dhe nuk ka dialog , diskursi që përdorin të dyja palët dhe jo konstruktiv”.
Sipas profesorit të së drejtës kushtetuese, ShBA-ja do të shfrytëzojë këtë vizitë për t’i dhënë mesazhe të qarta Kosovës, në disa procese.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shfrytëzojnë këtë vizitë për të dhënë mesazhe të qarta në mënyrë që proceset të zhbllokohen, sepse këto dy çështje janë peng i mos përgjigjes së institucioneve të Kosovës”.
“Do të ketë rezultate konkrete dhe vizitat e krerëve institucional të Kosovës në ShBA, nuk janë kurrë vetëm vizita formale dhe kanë një përmbajtje të rëndësishme, dhe në këtë rast përmbajtja do të jetë çështja e gazit dhe e dialogut”.
E se vizita e Osmanit, a do të sjellin njohje të reja për Kosovën, Gruda thotë se ajo mund ta paraqesë si kërkesë por që ende nuk është situata e favorshme.
“Në procesin e arritjes së njohjeve të reja Kosova ka vështirësi, dhe presidentja Osmani mund ta paraqes këtë si kërkesë për ndihmë të ShBA-së për të rritur numrin e njohjeve por nuk jemi në situatë të favorshme, kjo për arsye se njohjet e reja për Kosovë janë të lidhura me mënyrën se si ec dialogu me Serbinë dhe e dyta me mënyrën se si sillemi na me miqtë tanë ndërkombëtarë”.