Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në Komisionin për Shëndetësi ka arsyetuar situatën e krijuar me virusin Covid-19, në Kosovë. Ai tha se me gjendje të rënduar janë ballafaquar edhe shtetet e fuqishme e që e kanë të zhvilluar shëndetësinë, e jo vetëm Kosova.
“Jemi dëshmitarë të një gjendje që jo vetëm se nuk jemi përballur më herët por që kemi parë që tejkalon edhe jo vetëm aspektin shëndetësorë. Ishim dëshmitarë edhe gjatë kësaj kohe se edhe vendet më të zhvilluara dhe me aspekt shëndetësorë shumë të fuqishme se Kosova kishin dhe vazhdojnë që të kenë probleme lidhur me këtë situatë”, ka thënë Vitia.
Për këtë situatë, Vitia fajësoi edhe qeveritë e kaluara, duke thënë se ka pasur mungesa nga to më baziket në sektorin e shëndetësisë.
“Republika e Kosovës nga fillimi u përballë me shumë probleme edhe me ato nga më baziket, si mungesa elementare e pajisjeve dhe barnave dhe kjo na dëshmoi se mungesa e investimeve për dy dekada në shëndetësi patën koston e vet në një mënyrë aspak të lehtë dhe të dhimbshme për qytetarët tanë”, deklaroi ai.