KFOR-i është gati – pasdite pritet ndërhyrja në Veri

KFOR-i është gati – pasdite pritet ndërhyrja në Veri

Trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, të njohura si Forca e Kosovës, apo KFOR, janë gati për të intervenuar në Veri të Kosovës, aty ku prej një jave ka mbetur gjithçka e bllokuar pas aksionit të policisë për reciprocitetin e targave në dy pikat kufitare – Jarinje dhe Bërnjak.

Albanian Post mëson se ndërhyrja e KFOR-it pritet që të bëhet në orët e vona të pasdites, gjatë kësaj të hëne.

KFOR, siç kupton AP, është përgatitur tashmë dhe vetëm pritet drita e gjelbër nga baza e NATO-s në Napoli të Italisë.

Deri te një pajtim i përgjithshëm për të ndërhyrë KFOR-i në Veri ka ardhur pasi Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Në këto biseda është arritur një marrëveshje për de-eskalim të situatës më futjen e trupave paqeruajtëse të aleancës në Veri.

No description available.
Trupat e KFOR-it amerikan

Edhe ultimatumi që Vuçiç në një intervistë në televizionin serb “Pink” e dha të dielën në mbrëmje, ku tha se pret 24 orë që NATO të bëjë diçka dhe nëse nuk intervenon aleanca-veri-atlantike, atëherë Serbia reagon vetë, ishte pjesë e këtij skenari.

Pasi KFOR të marrë kontrollin në dy pikat kufitare në Veri, do të ndodhë largimi i Njësiteve Speciale të Policisë së Kosovës dhe zhbllokimi i rrugëve nga protestuesit serbë.

Edhe Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media të shtunën e kaluar, deklaroi se veprimet ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën, janë njëfarë përgjigje për ndërkombëtaret, meqë janë ata që po kërkojnë ulje tensionesh dhe mos-veprime të njëanshme dhe Serbia prapëseprapë po e bën.

Pas normalizimit të situatës palët do kthehen në Bruksel për të negociuar, mirëpo ende është e paqartë nëse reciprociteti për targat do të vazhdojë, apo do kthehet situata e mëparshme.

Çfarë ndodhi në Veri?

Në orët e para të mëngjesit të së hënës së 20 shtatorit, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u nisën për në dy pikat kufitare në veri të Kosovës, përkatësisht më Jarinje e Bërnjak, për t’i dal n ë ndihmë Policisë Kufitare të cilët ishin urdhëruar nga Qeveria e Kosovës për të filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Kosova në Serbi.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, qytetarë serb të revoltuar nga këto masa të cilat po i aplikonte Kosova ndaj tyre, bllokuan të gjitha rrugët të cilat të qojnë në këto dy pika kufitare.

Përveç prezencës së tyre fizike, me dhjetëra, rrugët u bllokuan edhe me kamionë.

Pas 24 orëve të para të aksionit, protestuesit ngrenë edhe tenda për të kaluar natën afër pikave kufitare ku i kishin bllokuar.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla doli në konferencë dhe tregoi se po zbatonin një marrëveshje reciprociteti me shtetin serb.

Një marrëveshje e arritur me dy korrik të vitit 2011 mes Kosovës e Serbisë për Lëvizjen e Lirë thoshte se dy palët kanë gjetur pajtim që ta zgjidhin çështjen e lëvizje bazuar në reciprocitet.

Pika e gjashtëmbëdhjetë e marrëveshjes, parashihte që edhe Kosova ka të drejtë të përdorë targa të përkohshme për veturat që në vend futen me targa serbe, derisa nuk arrihet një pajtim përfundimtar.

Related Articles