Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Kosova nuk ka humbur mundësinë e shfrytëzimit të 200 milionë eurove, të financuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendimin që të mos e çojë përpara projektin e gazsjellësit.
Sipas saj, s’ka pasur një përgjigje finale se “a duhet gazi të përdoret si lëndë djegëse për tranzicion të energjisë” dhe kjo ka shtyrë Qeverinë të fokusohet në rrugë tjera për dekarbonizim.
Në emisionin 60 Minuta në KTV, Rizvanolli ka thënë se Qeveria ka vendosur që grantin ta shfrytëzojë për projekte të tjera, që lidhen me dekarbonizim të energjisë.
Sipas saj, vendimi është dashur të merret tash në mënyrë që të mos humben 200 milionë eurot e ofruara, por që të shfrytëzohen vitin e ardhshëm.
“Nuk është humbur asnjë dollar i grantit. Ajo që kemi vendosur është thjesht që grantin ta shfrytëzojmë për projekte tjera, për dekarbonizim të energjisë”, ka thënë ajo duke shtuar se fokusi do të jetë në investime në kapacitete akumuluese të energjisë, investime në rrjetin energjetik duke përfshirë avancim të pajisjeve e rrjet të mençur, por edhe për investime në shkathtësitë punëtore, veçanërisht te gratë.
“Në fakt, nëse gazi duhet të përdoret si lëndë djegëse për tranzicion është pikëpyetja më e madhe që e kemi pasur. Përderisa në vendet tjera po mendojnë për tranzicion nga gazi, ne jemi në periudhë me zero infrastrukturë të gazit, e shtete tjera në rajon kanë nisur që 10 vjet”, ka thënë ajo duke shtuar se heqja e lëndëve fosile, përfshirë gazin, është synim i shumë vendeve të botës deri për vitin 2050. “Nëse është opsioni më i mirë për Kosovën nuk është e qartë.”
Rizvanolli ka thënë se “nëse është më mirë gazi se djegia e thëngjillit apo tranzicion drejtpërdrejt te burimet e ripërtërishme të energjisë duhet të vendoset në muajt e ardhshëm”.
Ajo ka deklaruar se investimet në kuadër të programit të MCC-së do të fokusohen “që të dimë që s’do të bëjmë gabime”.
Duke dhënë detaje për projektin e shumëpërfolur, Rizvanolli ka thënë se çështja e infrastrukturës së gazit ka dalë si rrjedhë e një studimi të MCC-së të para 5-6 vitesh se energjia në Kosovë është pengesë e zhvillimit ekonomik.
Ministrja e Ekonomisë ka shtuar se ka qenë presion për kohën për të marrë vendim tash në mënyrë që mjetet të shfrytëzohen vitin e ardhshëm. Megjithatë, ka thënë se vendimi s’është përfundimtar për të refuzuar përgjithnjë gazin.
“Duhet qartësuar. Vendimi që kemi marrë dje s’është vendim final për të mos ndërtuar infrastrukturën e gazit, por që këto mjete të shfrytëzohen në një investim që ne jemi të bindur që duhet të ndodhë. Në fakt, granti i MCC-së s’ka qenë plani ta financojë gazsjellësin, por disa gypa të Sharcemi dhe Ferronikeli e të ketë input për partneritetin publiko-privat për ndërtimin e termocentralit me gaz. Gypi nga Maqedonia ka qenë i planifikuar të vijë nga ana jonë me kredi. Kjo mundësi ende ekziston. Nëse vjen puna që ne ta bëjmë këtë, kjo do të jetë kur të jemi të bindur që është opsioni më i mirë”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ajo ka kritikuar edhe qeveritë e kaluara duke thënë se s’kanë bërë pyetje edhe sa i përket anës financiare të projektit.
Ka shtuar se edhe po që se bëhet tash një infrastrukturë e tillë, s’do të zgjidhej problemi në Kosovë.
Diskutimet se “Kosova ka prishur partneritetin me SHBA-në duke e refuzuar këtë projekt”, Rizvanolli i ka quajtur teori konspirative.