Kurti: Reciprociteti do të jetë parim i shtetit të Kosovës

Kurti: Reciprociteti do të jetë parim i shtetit të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se reciprociteti do të jetë parim, mbi të cilin do të bazohen veprimet e shtetit të Kosovës.

Kurti i bëri komentet në një takim me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, njoftoi zyra e tij.

Takimi u mbajt në Bërdo të Sllovenisë, në margjina të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e Kurtit, Borrell tha se ka mirëpritur marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve dhe shtoi se kjo “do të duhej të shërbente si momentum i ri për të përshpejtuar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare” për normalizimin e marrëdhënieve.

Më 30 shtator, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur një marrëveshje për, siç është thënë, shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Paraprakisht, banorët serbë atje kanë bllokuar dy vendkalimet kufitare me Serbinë – Jarinjën dhe Bërnjakun – në shenjë kundërshtimi ndaj masave të reciprocitetit që ka ndërmarrë Kosova ndaj automjeteve me targa të Serbisë.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët e makinave me targa të Serbisë, t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme derisa vozisin në Kosovë.

Masa të ngjashme për makinat me targa të Kosovës, Serbia ka zbatuar për më shumë se dhjetë vjet.

Për të mbikëqyrur procesin, Kosova ka dërguar në veri edhe njësitë speciale policore.

Me marrëveshjen e arritur më 30 shtator në Bruksel, serbët i kanë hequr bllokadat, njësitë speciale të policisë janë tërhequr nga Jarinja dhe Bërnjaku, ndërsa në targa të të dyja palëve janë vendosur përkohësisht letra ngjitëse.

Kurti dhe Borrell “u pajtuan se dialogu është platforma përmes së cilës palët arrijnë t’i zgjidhin çështjet e pazgjidhura”, thuhet në komunikatën e lëshuar të mërkurën nga Qeveria e Kosovës.

Simbolet shtetërore të Serbisë në këto targa të Beogradit janë mbuluar me letra ngjitëse./REL/ Gazeta “Enigma”.

Related Articles