Dhuna në familje është një fenomen global në rritje, e që çdo ditë në media raportohet për raste të tilla. Kjo dukuri më shumë se kurrë është shpërfaqë gjatë pandemisë, por në këtë rritje të rasteve të dhunës në familje kanë ndikuar faktorë të shumtë.
E se ka rritje të një dhune të tillë, e pohon edhe policia, vendi ku raportohen çdo ditë rastet e dhunës në familje. Sipas statistikave të policisë vetëm gjatë muajve janar-gusht të këtij viti janë raportuar 1,637 raste.
Sipas psikologut Aheron Bobaj, shkaktari kryesorë i tërë kësaj është mos edukimi i mirëfillt i shoqërisë.
“Shkaktari më i madhi që është edukimi që kanë marrë dhe nga prindërit ose diku tjetër si dhunuesi ashtu edhe gratë ose fëmijët që janë edukuar me mendimin që dhuna është normale. Shoqëria kosovare, së pari duhet me i eduku fëmijët e tyre, të afërmit e tyre që dhuna nuk është zgjidhje për asgjë, nuk duhet të normalizohet dhuna asnjëherë se në shumë raste pas dhunës ka ardhur vrasja. Prindërit duhet me i ndihmu vajzat e djemtë e tyre që përjetojë dhunë, e jo me ju thënë djemve që gruaja/fëmiu duhet të rrihet sepse të don ma shumë ose s’po të ndëgjon rrihe, po ashtu edhe vajzave, grave duhet me ju dhënë mbështetje e përkrahje me e marr guximin me u nda e mos me e duru dhunën”, thotë psikologu Bobaj.
Po ashtu Bobaj thotë që përveç efektit që ka pasur pandemia njëri prej faktorëve kyç të dhunë në familje mbeten edhe martesat me mësitni pra pa dashuri.
“ Dhuna gjatë pandemisë është rritë dukshëm, për arsye që ende ka martesa me msitni e martesa pse po i shkon përshtati prindërve e në fakt nuk kanë dashuri e as respekt për njëri-tjetrin, fillon me e pengu njeri-tjetrin e nga mos komunikimi e nervoza lind edhe dhuna ndaj gruas ose burrit, e sidomos kur vijnë edhe fëmijët gjendja emocionale e psikike ndërron, stresi shtohet sidomos në karantinë ku shumë njerëz e kanë humbur edhe punën e ka qenë e vështirë me ja dalë çdo ditë”, tha tutje ai.
Që COVID-19, ua ka vështirësuar jetën njerëzve në të gjitha aspektet jetësore, e nuk e ka lënë pa prekur edhe jetën bashkëshortore e pohon edhe psikologia Kaltrina Haziri-Canolli, raporton telegrafi.
“Pandemia sipas studimeve të bëra në vende të shumta evropiane e botërore, ka ndikuar në rritjen e rasteve të dhunës në familje. Numri i thirrjeve në polici është rritur, ashtu sikurse edhe numri i kërkimit te ndihmës së profesionisteve. Disa prej shkaktarëve sigurisht që janë: izolimi dhe ndjenja që viktimat nuk kanë askënd, pastaj komunikimi vetëm me anë të teknologjisë, pa praninë fizike apo rastet edhe më ekstreme kur disa mund edhe të mos kenë pasur qasje dhe dijeni për teknologji”, pohoi Haziri-Canolli.
Mirëpo, edhe pse shumë gra hezitojnë ta raportojnë dhunën për shkak të frikës, edhe ato që e raportojnë dhe kërkojnë ndihmë pak gjejnë mbështetje.
Vebi Mujku drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, thotë se edhe pse është e angazhuar maksimalisht që të intervenojë në rastet e dhunës që ndodhin në familje, kapacitetet e kësaj qendre janë të limituara.
“Qendra për Punë Sociale Prishtinë është e angazhuar në të gjitha rastet e dhunës në familje të cilat ndodhin brenda kompetencës territoriale të Komunës së Prishtinës. Por kjo qendër i ka kapacitetet e limituara me staf dhe pajisje tjera për të ofruar shërbime adekuate, mirëpo duke pas parasysh rëndësinë dhe ndjeshmërinë e rasteve të dhunës në familje, QPS Prishtinë shumicën e kapaciteteve i ka orientuar në këtë fushë, vetëm për të qenë në dispozicion dhe për të ofruar shërbime sa më cilësore për secilin rast të dhunës në familje”, thotë Mujku./Gazeta Enigma.