Në kuadër të bashkëpunimit mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës se Shqipërisë, është mbajtur në Tiranë Tryeza e parë e Kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Kjo Tryezë u organizua si rezultat i vizitës së parë zyrtare të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në Kosovë dhe diskutimeve të frytshme me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Tryeza filloi punimet me fjalimin përshëndetës nga Kryetarja e Kuvendit, të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Në fjalën e saj hyrëse, kryetarja Nikolla tha se Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës sapo kanë nisur një kapitull të ri bashkëpunimi intensiv dhe se Tryeza e parë e Kryetarëve të Komisioneve është hapi i parë i institucionalizimit të bashkëpunimit parlamentar.
Ajo shtoi se paralel me këtë Tryezë, në grupet e punës të të dy Kuvendeve, nën drejtimin e Sekretarëve të Përgjithshëm, është duke u finalizuar Marrëveshja e Bashkëpunimit midis të dy Kuvendeve.
“Kjo tryezë është një kantier pune i të zgjedhurve të kombit shqiptar, për të diskutuar për t’u shërbyer më mirë bashkëkombasve e qytetarëve tanë, kudo ku ndodhen. Është koha të intensifikojmë, shumëfishojmë kontaktet dhe zgjerojmë bashkëpunimin vëllazëror midis dy Kuvendeve tona”, theksoi Nikolla.
Nga ana tjetër kryetarët e komisioneve parlamentare të dy Kuvendeve, gjatë diskutimeve të tyre theksuan aspekte të ndryshme të bashkëpunimit parlamentar, duke iu referuar fushëveprimit të komisioneve përkatëse në procesin legjislativ dhe përafrimin e legjislacionit, për të lehtësuar bashkëpunimin midis institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve.
Diskutimet kryesisht u fokusuan në bashkëpunimin për përafrimin e legjislacionit të të dy vendeve me legjislacionin e Bashkimit Evropian në fushën e ekonomisë, financave publike, investimeve, shkëmbimeve tregtare, sigurisë dhe mbrojtjes, arsimit, kërkimit shkencor, kulturës, medias, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, bashkëpunimit me diasporën, mbështetjes së veprimtarive prodhuese e sipërmarrjes private, administratës publike, bujqësisë e zhvillimit rural, mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës dhe transportit, energjisë, qeverisjes vendore.
Kryetarët e komisioneve parlamentare ranë dakord që, përveç takimeve në nivel Kuvendesh, bashkëpunimi të zgjerohet dhe e thellohet edhe midis komisioneve përkatëse dhe rezultatet e tyre të paraqiten e diskutohen në Tryezat e përbashkëta, të cilat do të mbahen në mënyrë periodike. /Gazeta Enigma/