Fshatrat në pjesën veriore të Mitrovicës me shumicë shqiptarësh do të kalojnë nga administrimi i Stacionit Policor të Mitrovicës Veriore në atë Jugore.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se ishte kërkesë e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirit, si dhe banorëve të fshatrave të veriut.
“Pas kërkesës së Kryetarit të Komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri, kërkesës së banorëve të Suhodollit pas vizitës sime atje si dhe rishikimit të hartave kadastrale të Komunës së Mitrovicës, zonat kadastrale Suhodoll, Gushavc, Vinarc i Epërm, Vinarc i Poshtëm dhe Vidimiriq kalojnë nga menaxhimi dhe përgjegjësia e Stacionit Policor të Mitrovicës Veriore në atë Jugore”, tha Sveçla në ‘Facebook’. /Gazeta “Enigma”/