Kandidati i LDK-së për Pejën Gazmend Muhaxheri ka thënë se ai ka fituar me 61 % të votave dhe gjithçka ka përfunduar.
“Sipas rezultateve tona jemi 61%. Ka përfunduar dhe tani jemi duke numëruar votat për asamble komunale”.
Muhaxheri, që po ec nëpër qytetin e Pejës i shoqëruar nga një numër i madh i njerëzve që po festojnë duke thirrur emrin e tij, ka thënë se kjo do të thotë një besim më i madh në të.
“Fitorja do të thotë një angazhim më tepër. Një besim i madh i qytetarëve të cilin duhet me e kthy me punë”.
Ai ka thënë se gara në Pejë ka qenë e qetë, derisa ka falënderuar kundërkandidatët e tij.
“Ka qenë garë e qetë, i falënderoj kundërkandidatët për garë të qetë. Besoj që shihemi në beteja të tjera”, ka deklaruar ai.