Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka ofruar mbështetjen e Qeverisë ushtruesit të detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani, pas sulmit fizik që pësoi ky ditë më parë në vendin e punës, për çka të dyshuar janë punëtorë të kësaj ndërmarrjeje.
Në një konferencë për media pas vizitës që i bënë “Trepçës”, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë premtuar investime multimilionëshe.
Kurti në deklaratën për media ka thënë se ka marrë informata se në Trepçë ka pasur prodhim të madh me nxjerrje të 20 mijë ton të xeheve.
“Është lajm i mirë për Trepçën që çmimet e metaleve janë ngritur. Plumbit e zinkut të larta si rrallëherë. Mbi 3500 dollarë për ton zinku dhe 2500 dollarë për ton plumbi. Jemi të lumtur që kur ishim në qeverisje pranverën e kaluar e kemi dëshmuar edhe te udhëheqja edhe te punëtorët se jemi të interesuar për Trepçën. E kemi bërë konkretisht e materialisht. I patëm ndarë mbi 7 milionë euro për Trepçën. Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë 70 milionë euro për investime në Trepçë për vitet 2022-2023. Projekti për Fondin Sovran e ka vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik Trepçën”, ka thënë ai.
Pas kësaj, Kurti është marrë me incidentin e fundit në Trepçë ku Abdurrahmani është sulmuar në vendin e tij të punës dhe të dyshuar për rastin janë punonjës të kësaj ndërmarrjeje.
“U njoftova hollësisht mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit në Trepçë. Na vjen keq se çfarë ka ndodhur. Sulm i organizuar i dhunshëm mbi udhëheqjen. E dënojmë ashpër këtë sulm të tillë që është i drejtuar kundër Trepçës dhe s’është në të mirë të Kosovës. Zotohem si kryeministër se s’do të ketë as individë e as grup më të fuqishëm se shteti. Ata që synojnë të jenë më të fuqishëm, bien ndesh me ligjin dhe kushtetutshmërinë. /Gazeta Enigma.