Ekipi i boksit të Kosovës,dy herë nuk është lejuar sot të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që nesër nis në Beograd të Serbisë.
Pasi u ndaluan dy herë, Qeveria e Kosovës, saktësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dal me një reagim për Serbinë.
“Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, kanë shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
MKRS ka treguar se i kanë dërguar kërkesë me shkrim tek ministri i Rinisë dhe Sportit në Serbi, Vanja Udovičić që të lejohet hyrja sportistët kosovarë./Gazeta Enigma/
Komunikata e plotë e MKRS-së:
REAGIM:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dënon ashpër vendimin e sotëm të auroriteteve të Serbisë, të cilët penguan hyrjen e sportistëve tanë në territorin e tyre, për shkak të simboleve shtetërore në uniforma.
Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, kanë shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit.
Federata e Boksit të Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit (AIBA).Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor.
Këtë kërkesë e kemi drejtuar edhe me shkrim tek ministri i Rinisë dhe Sportit në Serbi, z. Vanja Udovičić.