Njohësit e fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare kanë shprehur shqetësimin për përsëritjen e rekomandimeve të njëjta në Raportin e Komisionit Evropian e të cilat janë bartur vit pas viti.
Sipas tyre, Raporti nuk duhet të jetë baza e funksionimit të një Qeveri, derisa për gjendjen jo të mirë në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, është situata e paqëndrueshme politike në vend.
Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL ka vlerësuar se qëllimi nuk duhet të jetë që vitin e ardhshëm të ketë një raport më të mirë, por që ndikimi i tij të ishte direkt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Nëse shikoni progresin në raportet e progresit të viteve të kaluara, pothuajse të njëjtat rekomandime kanë qenë dhe nuk duhet që ky raport të jetë baza e funksionimit të qeverisë, unë mendoj që si edukimi, si ekonomia, si bujqësia do të duhej të ishin prioritetet e shtetit të Kosovës, pra ky raport e bënë një vlerësim objektiv të standardeve të BE-së dhe progresin që Kosova bën kundrejt këtyre standardeve.”
“Qëllimi nuk do të duhej të ishte një raport më i mirë vitin e ardhshëm, por në fakt të kishte ndikim direkt në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Qeveria do të duhej prej ditës së parë t’i adresonte këto probleme sepse nuk janë probleme që ky raport na tregon për herë të parë”.
E jo stabiliteti politik në vend, Hoxha thotë se është kryefjala në Raport. Ai po e vlerëson pozitive arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së për ERA 2.
“Raporti i Progresit e përfshin një periudhë, jashtëzakonisht jo stabile, pra jo stabiliteti politik është ajo kryefjala në raportin e progresit të Komisionit Evropian, e shohim qëndrimet e shpeshta të Qeverisë kanë pas një ndikim direkt edhe në implementimin e reformave. Sa i përket reformave të agjendës evropiane kemi parë një mos përmbushje të kërkesave, mirëpo pozitivja e kësaj është që sivjet vet Bashkimi Evropian dhe Kosova kanë arritur një marrëveshje që të ketë një ERA 2, dhe kjo është pozitive”.
“Në raport shohim që Kosova në shumicën e fushave ka një progres të limituar, pra nuk ka një lëvizje të madhe por gjithsesi ka një progres të limituar dhe duke parë që kryeministri Kurti bazohet në ato indikacionet fillestare, që vetëm raporti i sheh si nisma dhe jo si përfundime. Puna e qeverisë Kurti mund të ketë ndonjë efekt mirëpo, ky raport nuk është i qeverisë Kurti, por është edhe i një vjeçari nga viti i kaluar”.
Hoxha, po e sheh të nevojshme që të merren parasysh rekomandimet e dala, derisa përmend që përmirësim të vogël ka pasur lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Në pjesën e implementimit të reformave evropiane ku vërehet një ngecje e madhe në implementimin e atyre masave që janë paraparë dhe për atë është bërë edhe një ERA 2 pra një paket e reformave të agjendës evropiane 2 e që do t’i ketë të kokrrizuara edhe veprimet qeveritare që priten në të ardhmen, shohim gjithashtu që edhe në luftën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka pasur një përmirësim shumë të vogël, shohim që edhe në ekonomi nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh sepse është ndikuar direkt nga pandemia dhe kjo është në të gjitha vendet e rajonit”.
“Diçka që në këtë raport shihet direkt është edhe shqetësimi i BE-së, për potencialisht një vetting ku këta e shohin që një prej opsioneve është një rivlerësim plotë i njëhershëm, pra kjo mund të shihet si problematik dhe si shqetësim i BE-së”.
Për të qenë në një linjë me standardet e BE-së, Hoxha po e sheh të nevojshëm progresin në fushën e bujqësisë.
“Një prej pikave ku tregon ky raport se nuk ka pasur fare progres, është kualiteti i edukimit, dhe lidhshmëria e edukimit me tregun e punës, pra këto janë fushat kryesore që janë përmendur në raport si një progres të limituar. Gjithashtu në pjesën e bujqësisë shihet një prej sektorëve që nuk ka pasur ndonjë ndryshim dhe që pritet ndryshime radikale për me qenë në një linjën me standardet e BE-së”.
Emrush Ujkani, nga Këshilli i Investitorëve Evropian (KIE) për Ekonomia Online thotë se kanë ndikuar faktorë të shumtë për gjendjen e Kosovës në raport.
Ai po shpreson që Qeveria të ketë rezultate pozitive në raportet e tjera.
“Raporti është një diçka që e diagnostifikon gjendjen, çfarë është Kosovës në raport me gjithë agjendën evropiane dhe tash jemi të familjarizuar me të, dhe pse është gjendja kështu ne kemi shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë proces, dhe e dini që viti i kaluar ka qenë i ndikuar nga pandemia Covid-19, pastaj kalimi në proceset zgjedhore që Kosova natyrisht është dashtë ta kalonte sikur në fillim të këtij viti dhe mendoj që ka lënë gjurmët e veta, pastaj zëvendësimi dhe ndryshimi i dy qeverive dhe të gjitha këtu përmbledhin në një vend të përbashkët, dhe ka ndikuar për të pasur një vlerësim të tillë, sepse kanë pamundësuar institucionet për ta quar mesazhin deri në fund. Ne shpresojmë që qeverisja aktuale të ketë rezultate të tjera në raportet e ardhshme që do të vinë”.
Sipas tij, vetë fakti që Raporti, kryeministrit Albin Kurtit i është dorëzuar nga shefi i zyrës së BE-së, lë të nënkuptohet për seriozitetin e raportit.
“Unë mendoj që vet fakti që zyrtarët e lartë të Brukselit, ambasadori i zyrës së BE-së, që arritën ta takojnë Kurti dhe ta ndajnë raportin me të, jep të kuptohet që për seriozitetin e këtij dokumenti, por jo vetëm të dokumentit se sa është i rëndësishëm procesi që qeveria dhe institucionet përkatëse, duhet të reflektojnë menjëherë në adresimin e këtyre çështjeve”.
Ditë më parë presidentja e vendit Vjosa Osmani, e ka vlerësuar si shqetësuese konstatimet e raportimit të Komisionit Evropian për Kosovën, për vettingun, pasi që sipas raportit thuhet se ky proces do të duhej të ishte masa e fundit, mirëpo sipas Ujkanit, ky konstatim i Osmanit është ekzagjeruar.
“Unë mendoj se çështja nuk është edhe shumë dramatike, në atë se çka është thënë në raport, për arsye se aty thuhet se si ka ndodhur procesi, dhe kjo nuk do të thotë që zonja Osmani nuk ka pasur të drejtë, ose ka pasur të drejtë, mendoj që është pak e ekzagjeruar pa nevojë nga të gjithë”.
Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyok ua ka dorëzuar krerëve të institucioneve raportin ditë më parë duke kërkuar që rekomandimet të zbatohen.