Presidentja Vjosa Osmani e ka quajtur të paprecedentë deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell për aksionin e Policisë së Kosovës në veri të vendit, i cili tha se janë të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Osmani tha se nga ana e Borrellit është parë një njëanshmëri që s’duhet ta kishte një ndërmjetësues.
“Dikush thotë që ka qenë i keqinformuar, dikush që e bën me qëllim dhe unë mendoj që këto nuk kanë fare rëndësi. Një zyrtar aq i lartë i BE-së duhet të jetë i informuar dhe të mos lejojë në rast se dikush nga zyrtarët e tjerë brenda BE-së ta dezinformojnë. T’i konfirmojë së paku ato informata dhe atë ditë ka qenë e lehtë që të konfirmohet e vërteta nga terreni, ka thënë ajo.
Tutje ajo ka thënë se një telefonatë e vetme do ta konfirmonte, që sipas saj, ky ishte aksion i sundimit të ligjit që s’kishte të bënte fare me etninë e askujt, sepse siç e dini në fund janë arrestuar gjashtë shqiptarë, një serb dhe një boshnjak.
“Policët që kanë qenë të involvuar ishin të të gjitha etnive, gjyqtari dhe prokurori që i kanë bërë hetimet kanë qenë serbë. Pra, si mund të jetë një aksion i tillë njëetnik?”, tha ajo në Kanal 10, përcjellë Gazeta “Enigma”.
“Unë kam qenë shumë e zëshme në këtë, sepse kur ju kërkohet që të jeni ndërmjetës në një raport siç është dialogu Kosovë-Serbi atëherë më e pakta që mund të kërkohet është pavarësia ose mungesa e njëanshmërisë në raport me një palë ose me tjetrën” është shprehur Osmani.
“Dhe këtu kemi parë një njëanshmëri që shpresoj shumë të mos përsëritet, sepse ka qenë edhe kundërshtim me çdo kërkesë që Bashkimi Europian që dy dekada meqë kanë kërkuar vazhdimisht që të luftojmë me krimin e organizuar dhe korrupsionit në veri, konkretisht në veri, të cilën edhe sivjet e kanë kualifikuar si sfidën më të madhe dhe kanë kërkuar që përpjekjet themelore të bëhen në fushën e sundimit të ligjit, por atëherë kur ato janë serioze dhe po ndodhin të konsiderohet kjo si veprim i njëanshëm është diçka edhe e paprecedentë, sepse ka pasë edhe ndërmjetës të tjerë në të kaluarën, por deklarata të tilla të njëanshme nuk kemi parë”, ka theksuar ajo. /Gazeta “Enigma”/