Dy persona të maskuar janë futur në shtëpinë e një mjeku në Prizren të mërkurën pasdite, ku kanë vjedhur 10 mijë euro ari, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Në momentin e grabitjes në shtëpi gjendej e zonja e shtëpisë (33-vjeçare), të cilën hajnat e lidhën dhe të njëjtës i shkaktuan plagë me thikë në trup. Në trupin e saj, dy personat e maskuar “gdhendën” shifrën “0003” dhe një zemër të vogël.
Hetuesi i këtij rasti Fitim Haxhiufazliu ka treguar se cilat janë dyshimet e para për shifrën që u “gdhend” në trupin e gruas.
“Njëri nga të dyshuarit i është drejtuar viktimës se bashkëshorti juaj mi ka borxh 30 mijë euro. Kështu ka deklaruar viktima e këtij rasti. Pra edhe ne supozojmë, këto janë dyshimet e para”, ka thënë Haxhifazliu.
Ai tutje shtoi gruaja në momentin që është gjetur nga burri i saj ishte pa vetëdije.
“Burri e ka gjetur atë kur është kthyer nga Shqipëria. Bazuar në informacionet e para, ajo ka qenë pa vetëdije”, shtoi ai për Sinjalin.
33-vjeçarja u gjet e lidhur në shtëpi, katër orë më vonë nga bashkëshorti i saj, 56-vjeçar.
Ky rast është raportuar edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
“Prizren, 27.10.2021-17:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se rreth orës 21:30 kur kishte shkuar në shtëpinë e tij, e kishte gjetur gruan e tij femër kosovare me lëndime trupore. Dyshohet se këtë e kanë shkaktuar dy persona të panjohur, të maskuar, të cilët kanë grabitur një sasi ari. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë./Gazeta Enigma/