Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ndër prioritetet e Qeverisë në fushën e drejtësisë mbetet rishikimi i procesit të funksionimit të ligjit dhe vetingu, luftimi i krimit dhe korrupsionit si dhe adresimi i krimeve të luftës. Sipas saj përmes vettingut synojnë kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime dhe Juridike (GLPS), me temë: Sundimi i ligjit në Kosovë, prioritetet e qeverisë së re”, Haxhiu tha se dokumenti për vettingun që kanë punuar përmban ndryshime kushtetuese. “Disa nga prioritetet e qeverisë tonë, është rishikimi i tej zgjatur i funksionimit të ligjit, proces që ka nisur para tre viteve dhe është në prag finalizimit edhe pse nuk ka qenë proces i nisur nga qeveria jonë ne do ta shtyjmë përpara. Si prioritet i dytë, është procesi i vetingut në ministrinë tonë, ku kemi punuar me një dokument dhe ai dokument përmban ndryshime kushtetuese”, theksoi ajo.
Ajo përmendi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si proces tjetër të rëndësishëm. Thotë se për të luftuar këtë dukuri ata tashmë kanë krijuar edhe koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.