Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në bazë të gjendjes nga stacionet monitoruese ka zbuluar se ngritja e ndotjes ka arritur mbi nivelet e lejuara me ligjin vendor.
Eksperti i Mjedisit në OJQ “Gac”, Ilir Morina tha se ndotja e mjedisit më së shumti përfshinë Prishtinë, Gjilanin dhe Pejën.
“Në bazë të gjendjes nga stacionet monitoruese të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës shihet që ka filluar ngritja e ndotjes mbi nivelet e lejuara me ligjin e Kosovës dhe direktivat evropiane. Mirëpo fatmirësisht ende në këtë periudhë për dallim prej viteve të tjera nuk është ajo ndotje që ka ndodhur më herët. Kështu që ndotja tejkalohet me grimcat PM 10 sidomos në një pikë të Prishtinës dhe në disa qytete të tjera që janë Gjilani dhe Peja. Mirëpo edhe në qytete të tjera aty këtu është në kufirin e lejuar. Gjithashtu edhe gazrat kanë filluar të ngritën për arsye se rrjedh nga fillimi i ngrohjes së qytetarëve me lëndë djegëse të cilat ndikojnë në automjetet të cilat tashmë gjatë dimrit përdoren më shumë”, tha Morina.
Ai theksoi se në Kosovë janë 760 persona që vdesin nga ndotja e ajrit.
“Nëse flasim për ndotjen e ajrit dhe rrezikun që në të gjithë Evropën rreziku më i madh në shëndetin e popullatës dhe vdekshmëria vjen mu nga ndotja e ajrit. Ndotësit më të mëdhenj janë termocentralet që janë me qymyr dhe forma të ndryshme të djegieve për edhe gazrave që lirohen nga automjetet. Rreth 420 mijë persona në Evropë janë të rrezikuar nga vdekja. Kurse në Ballkan, Kosova ka 760 persona të cilët vdesin nga ndotja. Në bazë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë vdekshmëria nga cilësia e ajrit dhe nga forma të ndryshme të kontaminimin është shumë e lartë”.
“Këtu gjithmonë politikat dhe implementimi i legjislacionit ka qenë shumë i ulët dhe vazhdon të jetë i ulët. Shihet një hendek ndërmjet qeverisë qendrore dhe qeverisjes lokale. Komunat janë shumë të shkëputura dhe shumicën e gjërave ia lënë qeverisë. Hapat kryesor duhet të ishin filtrat dhe rregullimi i procesit të djegies së qymyrit nga termocentralet”, ka theksuar ai.
“Edhe me qeverinë e re KEK-u është i përkëdhelur me arsyetimin që na duhet energjia. Kurse KEK-u vjedh gjithë atë energji dhe tejkalon të gjitha normat sidomos prej periudhës tetor deri në mars. Këtë vit qytetarëve iu tha se nuk duhet të shfrytëzojnë energjinë elektrike e që është në kundërshtim me mbrojtjen e mjedisit sepse favorizon ndotjen dhe kështu vjen deri te vdekja. Të gjitha veturat që janë mbi 4000 mijë të regjistruara në Kosovë pastaj të gjitha objektet kolektive, amvisëritë shfrytëzojnë forma të përziera të qymyrit”, ka thënë Morina.
Mes tjerash, ai ka thënë se qytetarët janë në një situatë të palakmueshme për mënyrën e ngrohjes. Sipas tij qytetarët që do të ngrohen me rrymë do të kenë problem me furnizim të energjisë elektrike, ndërsa ata që do të ngrohen me qymyr, do t’iu kushtojë me vonë për shkak të rrezikshmërisë që e ka për shëndetin e njeriut.
“Për shumicën e shtëpive të reja e sidomos në Prishtinë kemi instaluar forma të reja të pompave me rrymë elektrike që ngrohin një shtëpi apo banesë do ta kenë problem nëse nuk do të kenë energji. Në qoftë se popullata orientohet nga qymyri e që është shumë i rrezikshëm do të kemi probleme me ndotjen e ajrit e cila çon deri te vdekja e këtë përgjegjësi duhet ta marrë dikush. Zakonisht në secilin shtete qeveria do të japë përgjegjësie edhe për rritjen e numrit të njerëzve që do të kenë probleme kancerogjene që rrjedhin nga ndotja e ajrit”.
Gjithashtu, edhe profesori i Shkencave të Mjedisit, Sami Makolli, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se gjatë sezonës së dimrit pritet të ketë përkeqësim të cilësisë së ajrit.
Po ashtu edhe Makolli theksoi se 760 banorë vdesin në Kosovë si rezultat i cilësisë së dobët të ajrit.
“Tash kur po afrohet sezona e dimrit pritet përkeqësim i cilësisë së ajrit. Momentalisht cilësia e ajrit është mbi nivelin e lejuar po për shkak që ende kemi erëra dhe nuk e kemi përmbysjen e temperaturave mund të themi që është e qëndrueshme por niveli i ndotjes së ajrit në këtë fazë të dimrit gjithmonë përkeqësohet për faktin që e rëndojnë ekonomitë familjare. Ne ende djegim shumë karburant siç është thëngjilli dhe druri e sidomos në këtë kohë kur po bëhet thirrje për kursim të energjisë elektrike dhe shtrenjtim dhe kemi hyrë në një problem energjetik atëherë pritet ta rëndojë edhe më shumë situatën me ndotjen e ajrit sepse alternative tjetër jashtë rrymës do të ishte druri apo thëngjilli. Ne kemi nivelin e lartë të vdekjeve, 23 vdekje në 100 mijë banorë ku diku 760 banorë vdesin në Kosovë si rezultat i cilësisë së dobët të ajrit”, tha Makolli.
Sipas tij, Qeveria dhe komunat duhet t’i përshpejtojnë projektet siç është kogjenerimi duke shfrytëzuar avullin e Kosovës B.
“Thirrja për të mos u ngrohur me rrymë por me mjete tjera nuk mendoj që do ta ngritë shumë nivelin e ndotjes për aq sa do ta ngritë nëse rryma do të ishte shtrenjtuar. Dhe ne në këtë krizë energjetike kemi ndërprerje të rrymës atëherë ajo që është dytësore është një burim tjetër i ngrohjes që do të sillte një alternativë siç është thëngjilli dhe druri. Qeveria dhe komuna do të ishte mirë t’i përshpejtonin projektet siç është kogjenerimi duke shfrytëzuar avullin e Kosovës B. Do të ishte urgjente edhe hapja e konkursit që të fillojë subvencionimin për qytetarë që ngrohen me drurë dhe thëngjill”. /Gazeta “Enigma”/