Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka organizuar një protestë para qeverisë së Kosovës ku ka gjetur edhe përkrahjen e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe të Sindikatës të Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës.
Kryetari i FSHSK-së, Blerim Syla tha se duan nga qeveria e Kosovës Ligjin e Pagave sepse kjo do të vendoste barazinë sociale që ishte slogan nga qeveria aktuale.
“Të nderuar punonjës shëndetësorë, punonjës të Kosovës dhe ju të papunë. Jemi mbledhur këtu para qeverisë t’i thomë hallet tona sa i përket punëtorëve shëndetësorë. Ata nuk duan të bisedojnë me qytetarët e vet. Kërkesa e sotme është Ligji i Pagave. Ky ligj do të vendoste barazinë sociale që ishte slogan nga qeveria aktuale. Qeveria në mënyrë të fshehtë punon, pa ftuar sindikata e shoqëri civile. Sot kemi dalur t’i thojmë stop kësaj jo-transparence dhe kemi dalur t’iu themi se nëse ligji i pagave nuk shkon sivjet, kjo protestë do të rikthehet në reagime më të ashpra sindikale”, tha Syla.
Kryetari i ri i BSPK-së, Atdhe Hukolli tha në këtë tubim se do të jetë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave dhe kërkoi nga qeveria e Kosovës t’i ftojë sindikatat në dialogun social.
“Sot jam në cilësinë e kryetarit të BSPK-së që ta përkrahi protestën shumë kuptimplotë të Sindikatës së Shëndetësisë për Ligjin e Pagave, unë do të jem përherë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave ku ata kanë nevojë. Kërkoj nga qeveria e Kosovës që sa më shpejt t’i thërrasë sindikatat në dialogun social. Sa më shpejt edhe ministrat t’i thërrasin sindikatat që kanë nevojë për dialogun social. Ne sot këtu do e përkrahim Federatën Sindikale të Shëndetësisë. Ftojmë qeverinë t’i qojë ekspertët e vet në Këshillin Ekonomiko-Social sepse ne si BSPK përndryshe jemi në përgatitjen e veprimeve sindikale. Sa më shpejt që është e mundur që të ulemi e të bisedojmë, veprimet sindikale do t’i kemi prioritet”, tha Hukolli.
Më tutje, foli edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari i cili i bëri thirrje qeverisë të flasë me sindikatat dhe ka përmendur grevat.
“Kam ardhur këtu ta përcjellë mesazhin e mijëra punëtorëve të arsimit dhe kam ardhur t’iu themi qeverisë ta dëgjojë këtë masë njerëzish që përfaqësojnë tërë sistemin shëndetësorë sepse ata kanë luftuar dhe po luftojnë kundër vdekjes të shpëtojnë jetë. E lus qeverinë sot të bashkohet dhe të flasë me ne, në mënyrë që sistemi arsimor të mos kthehet në grevë tërë-javore. Sistemi arsimor do të jetë i bllokuar nëse Ligji për paga nuk shkon siç tha Blerim Syla”, tha Jasharaj. /Gazeta Enigma.