Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka paralajmëruar se në muajin janar të vitit 2022, do të ketë bllokim të sistemit arsimor nëse nuk implementohet Ligji i Pagave, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kështu bëri të ditur, Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, për Gazetën Enigma.
“Nëse vazhdohet ky ritëm i mungesës së komunikimit dhe informacionit, gjërat do të përkeqësohen”, tha Jashari.
Kreu i SBASH-ut, ka theksuar se “kam frikë se në dhjetor, këshilli drejtues që është organi më i lartë mes dy kongreseve mund të sjellë edhe vendim që të shkohet edhe në veprime sindikale”.
“Takimi i së premtes mund të na jap edhe një orientim të ri, çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet të veprojmë”, ka shtuar Jashari.
“Ne kemi zgjedhjet e brendshme, gjatë gjithë këtij viti dhe unë po vizitoj komunat ku po mbahen kuvendet zgjedhore dhe pyetja e parë që më drejtohet, në të gjitha komunat, është se cili është fati i ligjit të pagave”.
Ai ka thënë se mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë të arsimit i kishin mbështetur shpresat e tyre në këtë Ligj që sipas tij, sadopak do të ndryshonte pozitën e tyre ekonomike.
Jashari ka sqaruar se nga ana tjetër ka edhe mungesë gatishmërie për takime, duke theksuar se me ministren e arsimit, Arbërie Nagavci, kanë bashkëpunim korrekt.
Por, me gjithë paralajmërimet për grevë, kryesindikalisti s’e bën fajtor ministren e këtij dikasteri.
“Ne jemi të vetëdijshëm se Arbërie Nagavci, përkundër dëshirës nuk ka kapacitetet buxhetor, nuk ka as kompetenca që të vendos për kërkesat siç është ligji i pagave”.
“Ajo që kemi bërë deri më tani me kërkesa, ka qenë vullneti ynë i mirë që të ulemi me ministrin Hekuran Murati dhe me kryeministrin Albin Kurti në mënyrë që ta bëjmë një zgjedhje, që ta dimë se cili është fati i pagave”, sqaroi ai.
Për kërkesat e SBASHK-ut, Gazeta “Enigma” është munduar që të kontaktoj me Ministrinë e Arsimit dhe me zyrën e Ministrisë së Financave, por askush nga këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje për këtë çështje.
Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka mbajtur disa herë grevë në shenjë pakënaqësie për pagat e mësimdhënësve, dhe kanë paralajmëruar serish të ketë një bllokim të arsimit në gjitha nivelet, në rast të mos implementimit të Ligjit të pagave. /Gazeta “Enigma”/