Në konferencën e orës 19:00, Demokracia në Veprim, ka apeluar tek subjketet politike që të rezervohen nga shpallja e rezultateve të parakohshme.
Demokracia në Veprim ka kërkuar nga subjektet poltike duhet të jenë të matura dhe të menaxhojnë situatën nëpër komuna.
Sipas DnV, gjatë tërë ditës së votimit, është regjistruar një trend përgjithësisht linear i pjesëmarrjes në votime, pa ndonjë fluks të theksuar të votueseve në qendra të votimit. Respektimi i masave mbrojtëse kundër COVID-19 ka qenë i mangët, sidomos nga votuesit në zonat rurale, por duke mos përjashtuar edhe stafin zgjedhor.
“Në pjesën e pasdites janë vërejtur lëvizje të eksponentëve të subjekteve politike në lokacione të caktuara, përfshirë kryeministrin e vendit, gjë që mund të interpretohet si ushtrim i ndikimit mbi vullnetin e votuesve.
Është vërejtur interes i shtuar i mediumeve dhe organizatave për të matur disponimin e votuesve përmes administrimit të exit polleve në dalje të qendrave të votimit. Është raportuar edhe për kufizim të disa mediave në vëzhgimin e mbarëvajtjes së procesit brenda vendvotimeve.
Sa i përket parregullësive procedurale, edhe ky proces është përcjellë nga probleme të cilat janë përsëritur në të gjitha proceset zgjedhore paraprake. Pasaktësitë në listën e votuesve (rreth 50% e vendvotimeve), dhe trendi tejet i lartë i votimit me asistencë (mbi 90% e vendvotimeve) janë dy fenomenet më të shprehura në raundin e dyrtë të zgjedhjeve.
Vlen të theksohet se në këtë proces zgjedhor rastet e fotografimit të votës kanë shënuar rënie të ndjeshme, krahasuar me proceset paraprake zgjedhore, ku ky fenomen ka qenë shumë i shprehur.
Në pritje të fillimit të procesit të numërimit, DnV bën thirrje për kujdes dhe vëmendje të shtuar nga ana e stafit zgjedhor për të garantuar reflektim të drejtë të vullnetit qytetar. Po ashtu, ftojmë subjektet politike dhe mbështetësit e tyre që të mos shpallin fitoret eventuale bazuar në burime jozyrtare, por të presin shpalljen e rezultateve preliminare nga KQZ-ja”, thuhet në njoftimin e DnV-së./Gazeta “Enigma”/