Partia Demokratike e Kosovës, me anë të një komunikate për media, ka lajmëruar se PDK është fituesja më e madhe e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, dhe pastaj të raundit të dytë më 14 nëntor.
Meritë të pakontestuar për këtë rezultat, PDK e konsideron kryetarin e saj të ri, Memli Krasniqin.
Madje, ata në komunikatë e ndërthurrën ish-emrin e duo-bendit muzikor të Memli Krasniqit, si “Ritmi i fitores së PDK-së me Memli Krasniqin”.
“Udhëheqjen e Partisë Demokratike të Kosovës e mori në një moment të vështirë për këtë subjekt politik, por, brenda pak muajsh, arriti ta rikthejë në partinë politike me besimin më të madh në Kosovë. Memli Krasniqi ka korrur sukses të madh në zgjedhjet lokale me subjektin politik që ai e udhëheq”, shkruan PDK.
Në krye të Partisë Demokratike të Kosovës erdhi më 3 korrik të këtij viti, ndërsa brenda 4 muajsh arriti ta rikthejë Partinë Demokratike të Kosovës si partinë më të madhe në Kosovë, thuhet në Komunikatë.
“Në zgjedhjet lokale, PDK-ja e Krasniqit arriti t’i sigurojë 4 komuna të Kosovës pa balotazh, 2 prej tyre, kryeqendra. Ferizaj, Mitrovica, Skenderaj e Hani i Elezit i shkuan PDK-së qysh në raundin e parë të zgjedhjeve lokale”.
“E në raundin e dytë, PDK pati sukses edhe më të madh. Duke siguruar fitoren në Komunën e Prizrenit, Drenasit, Kaçanikut, Vushtrrisë e Dragashit – u bë partia me më së shumti komuna të fituara në këto zgjedhje”, shkruan mes tjerash komunikata e PDK-së.
Kjo është biografia e Memli Krasniqit: Memli Krasniqi ka lindur në vitin 1980. Ai shkollën fillore e ka kryer në “Hasan Prishtina” dhe atë të mesme ne Gjimnazin “Xhevdet Doda”.
Krasniqi ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet Master i ka përfunduar në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike.
Në vitit 1999 – 2000 ka pnuar si gazetar për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press, ndërsa në vitin 2002 ka qenë Drejtor për Marrëdhënie me Publikun në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës.
Për shumë vitë është marrë me muzikë dhe ka punuar në projekte të ndryshme muzikore, kryesisht si tekst-shkrues dhe si anëtar i grupit “Ritmi i Rrugës”.
Nga viti 2004 është angazhuar aktivisht në Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), fillimisht duke drejtuar Qendrën për Studime Politike që ka funksionuar në kuadër të kabinetit të kryetarit të partisë atëherë, Hashim Thaçi.
Me krijimin e Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK’së, Krasniqi është emëruar udhëheqës i Departamentit të Risinë, ndërsa në tetor të vitit 2006 është zgjedhur Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës – subjektit rinor të PDK’së që përfaqëson anëtarët e saj ndërmjet moshave 16-30 vjeç.
Nga ky pozicion, ai ka qenë edhe anëtar i Kryesisë së PDK’së. Në shkurt të vitit 2013, Krasniqi është zgjedhur nënkryetar i PDK’së për Çështje Organizative dhe të Rinisë.
Nga viti akademik 2006/2007 është angazhuar për disa semetra si ligjërues i lëndëve nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare në Kolegjin Victory dhe në Kolegjin Iliria. Po ashtu, Krasniqi është anëtar i rregullt i Shoqatës Amerikane për Shkenca Politike dhe i Shoqatës Britanike për Studime Ndërkombëtare.
Në zgjedhjet e vitit 2007, Memli Krasniqi zgjedhet deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Kulturë, Rini dhe Sport. Në tetor të vitit 2008 është emëruar Këshilltar Politik i Kryeministrit dhe Zëdhënës i Qeverisë.
Krasniqi është rizgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, ndërsa është emëruar Ministër në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport në shkurt të vitit 2011.
Ndërsa ka qenë edhe ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ai aktualisht është kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe gjithashtu ushtron postin e deputetit të këtij subjekti politik, përcjell Komunikata e lëshuar nga PDK./Gazeta Enigma/