Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, dje është takuar me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së ku ndër të tjera kanë diskutuar edhe për punën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Borell pas këtij takimi ka folur edhe në një konferencë për media ku ka treguar synimet e tij që të thërras një takim të nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë përpara fundvitit.
“Shpresojmë që të kemi një takim tjetër të nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit përpara fundit të vitit. Të paktën, ky është propozimi dhe ftesa ime për të dy liderët”, ka thënë Borell.
Përpara se të tregonte për çështjen e ftesës për takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq, Borell ka kërkuar nga palët që të përmbushin të gjitha marrëveshjet paraprake të për të cilat janë pajtuar, e një ndër to është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Për dialogun Beograd-Prishtinë, ne presim që Kosova dhe Serbia të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre”, ka theksuar Josep Borell. /Gazeta Enigma.