Dëshmitarja e shtatë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, gjatë ditës së mërkurë në seancën ku po gjykohet ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka bërë të ditur se ajo ka marrë pjesë në një zhvarrim të një personi në fshatin Zllashë.
Për arsye të natyrës specifike të dëshmisë së saj, pjesa më e madhe e gjykimit është zhvilluar në seancë private prandaj nuk dihet se kush ishte personi që u zhvarros apo për rolin e dëshmitares në të cilën thotë se ka qenë pjesë e saj.
“Vendi ku kemi shkuar ka qenë një mal, diku në thellësi të fshatit është ndalë traktori dhe aty kemi zbritur, aty kemi takuar edhe persona të tjerë dhe babai i viktimës ka thënë se këtu është trupi i tij dhe këtu duhet ta marrim”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtur.
Prokurorja e Zyrës së Prokurorisë Speciale, Silvia Dascoli, ka prezantuar disa fotografi dëshmitares të cilët nuk kanë qenë publike.
“Kjo fotografi është bërë në fillim të procesit kur kemi shkuar atje dhe na u është thënë që këtu supozohet që është vendvarrimi i viktimës”, ka deklaruar ajo.
Gjatë dëshmisë së saj, ajo ka thënë se pranë trupit të cilin sipas saj e kanë zhvarrosur ka qenë edhe një tjetër trup i varrosur, por nuk e kanë hapur atë varr.
“Në momentin kur është identifikuar komplet viktima kanë kërkuar që të mos vazhdohet tutje, sepse ka qenë edhe një person i varrosur afër tij”.
Sipas dëshmitares, kufoma është tërhequr nga Zllashi për t’u varrosur, por nuk ka treguar se në cilën vend.
Dëshmitarja ka thënë se dheun e kanë lënë ashtu siç ka qenë ndërsa kufoma tjetër sipas saj ka mbetur aty.
Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja e mbrojtur i është përgjigjur pyetjeve të mbrojtëses së viktimave, Anni Pues.
Ajo ka pyetur për dy degë pran atij varri për të cilën ka rrëfyer dëshmitarja, se a kishin ndonjë kuptim.
“Për këtë dy degë të premë të vendosur pranë varrit e kishin kuptimin e identifikimit të kësaj varreze”.
Deri më tani në Gjykatën Speciale, për rastin e Mustafës janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Hagë si dhe Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte. /Gazeta Enigma/.