Ndalohet në moment të fundit ekzekutimi i të dënuarit me vdekje në SHBA

Ndalohet në moment të fundit ekzekutimi i të dënuarit me vdekje në SHBA

Guvernatori i Oklahomas e ka ndaluar në moment të fundit, ekzekutimin e të burgosurit, Julius Jones, pak orë para se të vihej para vdekjes.

Guvernatori Kevin Stitt ka deklaruar se në vend të ekzekutimit, Jones i është vendosur dënimi me burgim të përjetshëm, pa mundësi lirimi me kusht.

Qindra studentë më parë kanë kërkuar mëshirë për Jones, i cili ishte dënuar me vdekje në vitin 2002, për vrasjen e Paul Howellit, gjatë një grabitjeje makinash tre vjet më parë. Mirëpo, Jones gjatë gjithë kohës e ka mohuar fajin.

Rasti i tij ka tërhequr mbështetjen e shumë fytyrave të famshme, përfshirë këtu Kim Kardashian, dhe aktivistëve kundër dënimit me vdekje.

Ekzekutimi i Jones përmes injektimit ishte caktuar që të bëhej në orën 16:00, sipas kohës lokale, në McAlester të Oklahomas.

Mirëpo guvernatori Stitt, një republikan, ka thënë se ai ndërhyri në këtë rast, “pas shqyrtimit me lutje dhe shqyrtimit të materialeve të paraqitura nga të gjitha palët e këtij rasti”.

Bordi i Faljes dhe Lirimit me Kusht i shtetit rekomandoi më herët me një shumicë votash që dënimi i Jones të ndryshohej në burgim të përjetshëm, me mundësinë e lirimit me kusht.

Ky rast ka tërhequr vëmendjen e gjerë vitet e fundit, pjesërisht për shkak të serisë së dokumentarëve ABC të vitit 2018 “The Last Defense”.

Jones u shpall fajtor se ka qëlluar për vdekje Howellin, gjatë një grabitjeje makine në vitin 1999 në rrugën e tij.

Në tetor, ai ishte mes pesë personave që fituan pezullimin e ekzekutimit nga një panel prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit të Rrethit të 10-të të SHBA-së.

“Unë nuk e vrava zotin Howell. Unë nuk kam marrë pjesë në asnjë mënyrë në vrasjen e tij; dhe hera e parë që e pashë atë ishte në televizion kur u raportua për vdekjen e tij”, kishte shkruar ai në një letër drejtuar bordit të lirimit me kusht në prill, pasi kishte shteruar apelimet e tij. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles