Kryeministri Albin Kurti ka folur në institutin austriak Karl-Renner në Vjenë për rënien e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale.
Kurti ka listuar katër arsye se pse s’kanë fituar duke thënë se të gjithë u bënë kundër VV-së.
Kurti u ka deklaruar se si parti në nivel nacional kanë dalë të parët, por shton se kjo nuk i është përkthyer në numër më të madh komunash të fituara.
“Në zgjedhjet e fundit lokale ne dolëm të parët si parti në nivel nacional në votë e përgjithshme por fituam vetëm në 4 komuna. Kemi numër të madh të përfaqësuesve të asamblesë lokale por kemi vetëm 4 kryetarë komunash një nga arsyet është sepse është një situatë tjetër, është sikur të luash tenis ku ti mund të fitosh shumë lojë por humb setet”, tha Kurti.
Sipas tij katër arsyet që e sollën VV-në në vendin e 5-të në zgjedhjet lokale dhe në vendin e 4-të nga partitë shqiptare janë defektet e brendshme të VV-së, bashkimi i partive kundër VV-së, pandemia COVID-19 dhe oligarkët që ishin kundër tyre.
“Megjithatë, janë katër arsye kryesore që unë besoj na sollën këtë rezultat jo të kënaqshëm. Njëra është, ka disa defekte brenda organizatës ne jemi më elaborues në çështje nacionale sesa tek politikat lokale ne jemi mbrapa pra ne jemi një palë zgjedhje mbrapa në rritjen tonë kur vie tek zgjedhjet lokale në dallim nga zgjedhjet parlamentare”, tha Kurti.
Kryetari i VV-së tha se i duartroket partitë opozitare për koordinimin që sipas tij e kanë pasur kundër VV-së.
“E dyta është se të gjithë u bënë bashkë kundër neve dhe ne e nënvlerësuam gatishmërinë për tu sinkronizuar dhe koordinuar kaq mirë kundër neve. Unë i duartrokas ata për organzimin e mirë të tyre në luftën kundër neve, natyrisht nuk mendoj se ka qenë për të mirë por më duhet ta pranoj se kanë qenë të organizuar mirë”, tha ai.
Ai përmendi edhe situatën me COVID-19 që sipas tij si ka lejuar që të grumbullohen në turma të mëdha.
“Fakti i tretë është se pandemia COVID-19 na ka goditur shumë, sepse mënyra kryesore e jona kryesore për tu organizuar janë tubimet tona publike dhe ne kemi mundur të organizojmë publike të vogla deri në 50 apo 70 persona. Pandemia i ka individualizuar individët, të gjithë janë tkurrur për 1 apo 2 centimetra duke shikuar në telefonat e tyre mobilë gjatë gjithë kohës”, tha Kurti.
Si element të katërt të humbjes ai tha se është fakti se s’ia kanë kthyer shtetit kapitalin që është përvetësuar sipas tij nga pronarët e vjetër edhe pse kanë marrë pozita shtetërore dhe kjo ka bërë që sipas tij oligarkët ta sulmojnë VV-në si parti fituese.
“Elementi i katërt, për të cilin disa thonë se është i pari, fakti se ne morëm pozita politike në sistem, pas fitores më 14 shkurt të këtij viti, nuk do të thotë se ne ia kemi kthyer shtetit kapitalin që ishte përvetësuar nga ta. Pra, fatkeqësisht, kapitali i nxjerrë nga burimet natyrore dhe fondet publike tonat ende është në duart e pronarëve të vjetër. Për këtë arsye, ne duam që ta ndryshojmë gjendjen duke ia kthyer shtetit e shoqërisë atë që u është marrë në mënyrë të padrejtë. Ky sulm kundër neve si parti fituese ishte shumë i fuqizuar veçanërisht nga oligarkët”, tha Kurti.
/Gazeta Enigma/