Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, përmes një konference për media ka kritikuar vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për uljen e shtesave për mjekët, stafin mbështetës shëndetësorë dhe për pensionistët.
Tutje, Zejnullahu ka thënë se PDK-ja e konsideron skandaloz këtë vendim, në periudhën kur pritej rritja e mbështetjes ekonomike e financiare për ekonominë e goditur nga pandemia.
“Vendimi i kryeministrit Albin Kurti, i marrë në mbledhjen e Qeverisë, për të ulur shtesat për mjekët dhe infermierët për 50% nga 300 në 150 euro, si dhe për të ndarë vetëm 100 euro për stafin mbështetës teknik është jo i drejtë dhe i papranueshëm, marrë parasysh rrezikun me të cilin ballafaqohen këto kategori gjatë punës së tyre të përditshme në përballje me pandeminë COVID 19. Nuk mjafton vetëm falënderimi për ta, por duhet të ketë edhe vendime e mbështetje konkrete”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, PDK-ja shpreh shqetësimin lidhur me vendimin tjetër të Qeverisë për uljen e shtesave për pensionistët nga 120 në 100 euro.
“Qeveria ka dështuar të mbështesë financiarisht punëtorët, ekonomitë familjare dhe bizneset e prekura nga pandemia duke u ofruar lëmoshë, por jo mbështetje të njëmendtë. Sepse rrjedhoja e vendimit për mbyllje ishte lakorja e pandryshuar e të infektuarve me COVID-19 dhe ngulfatja e sektorit privat, ndërkohë që pasoja ishte ”eksportimi” i parasë jashtë shtetit. Ky është përçmimi i radhës që qeveria Kurti i bën qytetarit të Kosovës”, tha ajo.