Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafi ka reaguar pas refuzimit që Serbia i ka bërë katër ministrave të Kosovës për të vizituar Luginën e Preshevës.
Mustafi ka shkruar se refuzimi shpërfaq tendencën e Serbisë për të pamundësuar bashkëpunim për festën e 28 Nëntorit.
“Refuzimi i kërkesës për të vizituar Luginën e Preshevës të ministrave të Republikës së Kosovës – Liburn Aliu, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrulla Çeku nga Serbia nuk mund të gjykohet ndryshe, përveç mendësi e sistemit aktual në Serbi.Ky refuzim si i tillë shpërfaq në mënyrë të natyrshme tendencën për të pamundësuar jo vetëm thjeshtë vizitën, por në radhë të parë për të pamundësuar bashkëpunimin e bashkërendimin e drejtpërdrejtë si dhe bashkëfestim e Festës së Flamurit 28 Nëntorin”, ka shkruar Mustafi.
Ai është shprehur i indinjuar me refuzimin e Serbisë për vizitë.
“I indinjuar thellë, ndjejë keqardhje për ripasqyrimin e mentalitetit të shekullit të kaluar dhe pengimin e mundësisë për të bashkëbiseduar e festuar me miqtë e bashkëkombasit ministra. Po një është e sigurt, aspiratat tona të përbashkëta nuk forcë që i ndal”, ka shkruar ai./Gazeta “Enigma”/