Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, tha se kanë grumbulluar informacione rreth këtij rasti, teksa shtoi se kanë rritur numrin e hetuesve në vend të ngjarjes.
“Aktualisht jemi duke u përballur me një numër të konsiderueshëm të informacioneve rreth rastit dhe kemi sjell njësi shtesë dhe ekspertë të ndryshëm të niveleve hetimore dhe operative”, ka thënë më tutje Mehmeti.
Më tutje, Mehmeti tha se ka indikacione që personi i armatosur të ketë bashkëpunuar me më shumë persona.
“Mund të flasim për një sistem të diku 2 ose tri pistave të mundshme të hetimit. Të gjitha informacionet që jemi duke i marrë edhe nga provat materiale qojnë në këtë drejtim. Aktualisht po bisedojmë për një person me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë që nënkupton që mund të ketë më shumë se një të dyshuar”, ka thënë ai.
Policia aktualisht sipas tij është duke ekzaminuar provat teknike që tregojnë se nga ka ardhur i dyshuari dhe nga ka ikur.
“Janë duke u ekzaminuar prova teknike të ndryshme që do të na tregojnë saktë se nga ka ardhur, ku ka qëndruar dhe potencialisht ku ka shkuar”, deklaroi Mehmeti./Gazeta Enigma/