Të premten e 26 nëntorit, mbrojtja e Kadri Veselit konfirmoi se Policia e Kosovës ka dhënë garancë për lirimin e përkohshëm të tij.
Siç thuhet në dokumentin e mbrojtjes, Policia e Kosovës është më e pajisur për të zbatuar urdhrat e Gjykatës sesa njësitet në Qendrën e Paraburgimit.
Mbrojtja tutje thotë se angazhimi i detajuar i marrë nga Policia e Kosovës ndryshon qartazi rrethanat dhe në mënyrë direkte, zvogëlon rrezikun që Gjyqtari i Procedurës Paraprake kishte përmendur në vendimin paraprak për çështjen e Arrestit Shtëpiak.
E, në një përgjigje për FrontOnline, nga Specialja kanë thënë se pavarësisht përgjigjes së Policisë, vendimi për Kadri Veselin varet kryekëput nga gjyqtari i procedurës paraprake.
“Varet nga gjyqtari i procedurës paraprake ose kolegjit përkatës të gjyqtarëve që të vendosë për vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, bazuar në të gjitha informatat në dispozicion, përfshirë çdo informacion të siguruar nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Front Online, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Nga Specialja kanë deklaruar se parashtresat e Policisë së Kosovës mbeten konfidenciale.
“Parashtresat e Policisë së Kosovës mbeten konfidenciale. Në këtë pikë, asnjë vendim nuk është i disponueshëm publikisht në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet më tutje në përgjigje.
Por, cilat janë procedurat që do të ndiqen tash e tutje pas përgjigjes së Policisë.
A do të kthehet Kadri Veseli në Kosovë? Ja çfarë thotë avokati i akredituar i Speciales
Avokati i akredituar i Speciales, Artan Qerkini, ka thënë se Specialja tashmë do ta vlerësojë përgjigjen e Policisë së Kosovës.
“I mbetet Gjykatës me vlerësu përgjigjen e Policisë, edhe gjitha ato pyetje që i ka parashtru Gjykata të shoh nëse ka marrë përgjigje adekuate në secilën prej tyre dhe nëse gjykata vlerëson se Policia e Kosovës është në gjendje që të zbatojë urdhrat e gjykatës nëse gjykata vendos që ta ndërprenë masën e paraburgimit me masë të arrestit shtëpiak, atëherë të merr një vendim për ndryshimin e kësaj mase”, është shprehur Qerkini.
Policia e Kosovës më tetë tetor e pranoi letrën e Speciales në versionin anglisht përmes së cilës kërkohej përgjigje rreth ofrimit ose jo të garancës për lirimin me kusht të tre ish-krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli./Gazeta “Enigma”/