Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën në Spitalin Rajonal të Pejës ka vdekur një i burgosur i cili ishte i dënuar për vrasje të rëndë.
Në njoftim bëhet e ditur se 71-vjeçari me inicialet S.L. që nga pranimi ka qenë i hospitalizuar në Stacionarin e Burgut të Qendrës Korrektuese në Dubravë, ku po trajtohet për sëmundje të shumta.
“Kohëve të fundit ka pasur komplikime si pasoje e metastazave tumorale, të cilat janë shprehur me ascit (lëng në abdomen) dhe rertentio urinae, si dhe komplikime të tjera, të cilat i kanë vështirësuar funksionimin për të cilin është kujdesur stafi mjekësor i stacionarit, në vazhdimësi. Si pasojë e kësaj, dy javët e fundit ka qenë i shtrirë nën kujdesin e vazhdueshëm në Spitalin Rajonal të Pejës, ku përkundër ofrimit të ndihmës mjekësore, i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
ShKK ka bërë të ditur se 71-vjeçari po vuante dënimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
“I njëjti ishte i dënuar për Veprën Penale; Vrasje e rëndë. Organet kompetente janë duke u zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes”, thuhet në njoftim./Gazeta “Enigma”/