Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka certifikuar rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Prizrenit e Kllokotit pas konfirmimit nga PZAP dhe nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë ankesë, shkruan Gazeta Enigma.
Me 10 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve për kryetar të Kllokotit.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se kanë pranuar vendimin e Supremës që nuk ka asnjë ankesë në këtë institucion.
“Ne e kemi pranuar nga Gjykata Supreme që nuk ka asnjë ankesë dhe rekomandohet certifikimi i zgjedhjeve në Kllokot”, tha Radoniqi.
Ndërkaq certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve në Prizren, mori pak më shumë kohë, pas pretendimeve të anëtarit të Vetëvendosjes, Alim Ramës, ku ky i fundit pretendon se kanë dërguar ankesë në Gjykatën Supreme për rezultatin e zgjedhjeve në këtë komunë.
“Brenda një ore e marrë kopjen e ankesës. Ankesa është dorëzuar në Supreme”, deklaroi Rama.
Kundër kësaj u shprehen anëtarët e PDK-së në këtë institucion.
Arianit Elshani nga PDK-ja, tha se Supremja nuk ka ankesa të mbetura për shqyrtim.
“Tërë ditën jemi në kontakte më Gjykayën Supreme dhe na konstanton se për këto ditë që kanë kaluar nuk kanë pranuar asnjë ankesë për zgjedhjet në Kllokot dhe Prizren. Pra nuk kemi asnjë ankesë në këtë institucion”, tha Elshani.
Kryetari i KQZ-së ka kërkuar dëshmi nëse të njëjtit kanë dorëzuar ankesë në Supreme, ndonëse thotë se këta të fundit e kanë konfirmuar për KQZ-në se nuk ka arritur asnjë ankesë nga ky subjekt.
“Tërë ditën jemi duke komunikuar me Gjykatën Supreme dhe na kanë thënë se nuk ka asnjë ankesë. Ne mund t’i certifikojmë zgjedhjet dhe të njejtat mund t’i rishikojmë vendimet”, tha Radoniqi.
Certifikimi i këtij rezultati u votua me tetë vota pro, një kundër dhe një abstenim./Gazeta Enigma/