Iniciativa e “Ballkanit të hapur” është bërë temë diskutimi edhe në Kuvendin e Shqipërisë.
Në një interpelancë që u mbajt gjatë së enjtes, opozita e kritikoi kryeministrin e Shqipërisë për një iniciativë që, sipas saj, zëvendëson Procesin e Berlinit. Deputeti i opozitës, Tritan Shehu, madje tha se garant i kësaj nisme është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Këtu kërkohet një diskutim më i gjerë që do të duhej të bëhej përpara shpalljes së kësaj nisme ‘mini-shengen’ në Novi-Sad, që në të vërtetë tenton të es’humojë iniciativat komunitare në rajon. Akoma më keq, kërkonte dhe kërkon zëvendësimin e tyre me një iniciativë të tillë me protagonist dhe garant Vuçiqin, me iniciativë që ju u bëtë mbështetës, zoti kryeministër”, ka thënë Shehu.
Mirëpo kryeministri Edi Rama e arsyetoi “Ballkanin e hapur” si një nismë drejt procesit të integrimit.
“’Ballkani i hapur’ nuk është as zëvendësim, as tjetërsim, as transformim në diçka tjetër i Procesit të Berlinit apo i vetë procesit të intergrimit evropian të Shqipërisë. ‘Ballkani i hapur’ është një mekanizëm për të jetësuar Procesin e Berlinit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit”, u shpreh ai.
“Ballkani i hapur” u kritikua edhe për minimin e mundësive të zhvillimit ekonomik. Por, sipas Ramës, me këtë nismë përfitojnë prodhuesit shqiptarë.
“Adresohen nevojat e qytetarëve dhe të prodhuesve, të përpunuesve apo të tregtuesve të këtij vendi. Ja konkretisht, a e dini ju zoti Shehu apo cilido qoftë që merr pjesë në këtë debat se sa janë kompanitë transportuesve shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi. Konkretisht Shqipëria ka 371 eksportues në Maqedoninë e Veriut dhe 165 eksportues në Serbi. E duke qenë se thelbi i këtij debati është Serbia, po jap edhe një të dhënë tjetër që mbase ndihmon në shtjellimin e idesë dhe ilustron nevojën e këtij mekanizmi. Nga 165 eksportues shqiptarë në Serbi, 57 prej tyre janë eksportues frutash dhe perimesh”, deklaroi Rama.
Gjatë diskutimit, opozita e ka krahasuar iniciativën “Ballkani i hapur” me Jugosllavinë, por sipas kryeministrit të Shqipërisë, kjo është një lojë fjalësh për të cenuar nismën. Ndërkaq ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, që drejtoi të enjten sesionin e Këshillit ministror të OSBE-së në Suedi, tha se “Ballkani i hapur” është mjet efektiv për bashkëpunim dhe dialog mes vendeve të rajonit./Gazeta “Enigma”/