Personeli në QKMF të Pejës refuzoi vaksinimin e foshnjave

Personeli në QKMF të Pejës refuzoi vaksinimin e foshnjave

Sikurse në tërë vendin edhe personeli i qendrave të mjekësisë familjare në Pejë të enjten mbajtën grevën tetorëshe me kërkesat për procedimin e Ligjit të pagave.

Gjatë kësaj greve kanë kthyer mbrapa pacientët që shkonin për shërbime mjekësore, në mesin e tyre edhe nënat që kishin shkuar për të vaksinuar foshnjat e tyre me vaksina të rregullta.

“Bilem të sëmutin duhet me këqyr, mua prej shkollës më thirrën”, është shprehur nëna e një vajze që kishte nevojë për kontroll.

E të pakuptimtë e konsideronte grevën një tjetër qytetare që po ashtu qëndronte janë QKMF-së.

“Çfarë greve? Me t’vdek robi badihava, mos me pas doktor. Fëmijët sëmutë janë”, shprehej me mllef prindi i dy fëmijëve.

Kryetari i Sindikatës së QKMF-së në Pejë, Zenel Berisha, ka thënë se gjatë ditës janë trajtuar vetëm rastet urgjente.

“Vaksinimi si një pjesë e ndjeshme që është mirëpo, sipas ekspertëve nuk futet në grupin e shërbimeve urgjente që duhet me u kry gjithsesi”, ka deklaruar Agron Dreshaj, pediatër në QKMF në Pejë.

Foshnjat kanë mundur të vaksinohen pas orës 15:00 kur ka mbaruar greva, por pavarësisht grevës, siç tha shefi i Qendrës së Vaksinimit, Dugagjin Sahatçiu, nuk është dashur të refuzohet vaksinimi i foshnjave.

“Ka ndonjë që vjen sot e më nuk vjen edhe një muaj a dy. Tash me rreziku atë foshnje”, ka thënë Sahatçiu.

Që të mos përsëritet refuzimi i vaksinimit të foshnjave, ai e sheh të domosdoshme që vaksinimi i foshnjave të bëhet prioritet dhe të futet si rast urgjent në raste të grevave.

Mjekët u kanë kërkuar falje pacientëve që gjatë grevës nuk morën shërbime mjekësore.

Greva është organizuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës./Gazeta “Enigma”/

Related Articles