“Dikush që shpallet non-grata nga SHBA-të nuk mund të jetë shpëtimi i Shqipërisë”

“Dikush që shpallet non-grata nga SHBA-të nuk mund të jetë shpëtimi i Shqipërisë”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar në një nga emisionet e mbrëmjes se dikush që shpallet non-grata, referuar figurës së ish-liderit demokrat, Sali Berisha nga Shtetet e Bashkuara nuk mund të jetë shpëtimi i Shqipërisë.



Basha pohoi fillimisht se ndihet më shumë përgjegjës për fatet e Partisë Demokratike, demokracisë shqiptare dhe fatet e Shqipërisë.

Kryetari i PD-së theksoi se përballja mes tij dhe Berishës, ishte e pashmangshme.

Në vijim, kryedemokrati solli në vëmendje se nuk ka një kult të ambasadorëve – duke iu kthyer figurës së ambasadores Yuri Kim.

Sipas tij, vendimi për shpalljen non-grata të ish-liderit nuk erdhi nga ambasadorja apo nuk u nis nga Departamenti Amerikan por përcillet nga Sekretari i DASH-it, Antony Blinken.

Gjatë debatit, Basha, sqaroi se kur nisi karrierën politike donte të vendoste një standard ku në mes të mosmarrëveshjeve të qëndronte debati dhe jo linçimi.

Lidhur me vendimin e përjashtimit të Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së, Basha citoi dy aspekte – etike dhe politike.

Së pari, ai citoi arsyen etike si standard të vendosur nga PD-ja me propozimin “për vettingun e politikanëve”.

Basha argumentoi se shpallja non-grata është e mjaftueshme për mbajtjen e një posti.

Arsyeja tjetër – politike – lidhet me përgjegjësinë e kryetarit të partisë.

“Përgjegjësia e kryetarit është vendosja në prioritet e interesave të demokratëve”, tha Basha.

Kryetari i demokratëve shtoi se gjendja në të cilën është sot selia blu, vjen prej masakrës elektorale të 25 prillit.

Më tej, numri një i PD-së ravijëzoi se ish-kryeministri Berisha, shfrytëzoi situatën dhe gjendjen për të shantazhuar dhe për të manipuluar demokratët.

I pyetur në lidhje me identitetin e partisë që kryeson, Basha sqaroi se ajo nuk varet nga një person por ka qenë krah i qasjeve pro-perëndimore ose pro-amerikane.

“Kur cënohet interesi i shqiptarëve, i kam thënë jo aleatëve, pra ambasadorëve”, nënvizoi gjatë fjalës së tij Basha.

Bruksel-Washington

Teksa u pyet për një hetim që po zhvillon prokuroria belge mbi figurën e tij, Basha e konsideroi një trillim.

“Kam dhënë dëshminë e plotë. Jam i gatshëm të jap dëshminë. Dëshmia është dhe në SPAK, edhe para zyrtarëve belgë”, tha kryedemokrati në sqarimin e tij.

Duke iu kthyer udhëtimeve, ai garantoi se mund të udhëtojë që sonte drejt Brukselit.

“Nuk jemi në rrafshin e trillimeve. Nëse ka nevojë të jap dëshmi përsëri e jap kudo”, shtoi numri një i selisë blu.

Në vijim, Basha, ravijëzoi se nuk është hapur kurrë një çështje ndaj tij në SHBA.

“Jam ftuar për të vizituar SHBA-të dhe siç kam qenë do të vazhdoj të jem për institucionet amerikane”, deklaroi gjatë fjalës së tij kryedemokrati./Gazeta “Enigma”/

Related Articles