Me vendim të komitetit për vaksinim në kuadër të Ministrisë së Shndetësisë, në të gjitha qendrat e vaksinimit rifillon vaksinimi edhe në vikend, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Numër i vogël i qytetarëve janë paraqitur gjatë së shtunës që të marrin vaksinën në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
A ka ndikuar shfaqja e variantit të ri të COVID-19, Omicron që të rifilloj vaksinimi në vikende?
Infektologu, Hamdi Ramadani, në një prononcim për Gazetën ‘Enigma’, ka thënë se duhet të vaksinohemi që të mbrohemi nga varianti i ri pasi që tani do të kemi edhe një fluks të mërgimtarëve për festat e fund vitit.
“Pandemia e COVID-19 është prezente në tërë vendet e botës, këtë situat e kemi edhe në ballkan. Ardhja e mërgimtarëve në fund të këtij muaji, në kohë të festave do të shtoj mundësin që të përhapet infeksioni edhe më shumë sidomos nëse nuk jemi të imunizuar”, ka theksuar Ramadani.
Njëherit, ai ka shtuar se “Imunizimi në vend është larg pritjeve dhe situatës reale me pandeminë, pasi që tani shumë vende kanë raportuar për variantin e ri Omicron i cili ka një përhapje të madhe dhe shpejtë”.
Pra, “duhet me i shtu masat, dhe të ketë sa më shumë vaksinim, pasi që edhe mundësia e infeksionit është shumë e mundur edhe në vendin tonë. Duhet shpejtë dhe menjëher të filloj edhe dhënia e dozës së tretë pasi që kjo është e pashmangshme e cila mund të ketë vonim, por doza e tretë është e sigurt pë mbrojtjen tonë si te Delta edhe te Omicron, dhe kjo është rruga e vetme e mbrojtjes së qytetarëve dhe luftës së drejtë nga COVID – 19 dhe varianti Omicron”.
Ramadani: Vetëm doza e tretë e vaksinës është shpëtim për Omicron
Sipas tij, “mosvaksinimi gjatë vikendeve ishte një gabim, kur ne ende jemi në një kohë pandemie”.
MSH: Varianti “Omicron” duhet të merret seriozisht, ka shumë të panjohura
Nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës kanë thënë se edhe ky variant, sikurse gjithë të tjerët, duhet të merret seriozisht.
“Omicron” ka ende shumë të panjohura dhe se çdo shtet është i rrezikuar nga ky variant i virusit COVID-19.
Çdo variant i SARS COV-2 duhet të merret me seriozitet, e gjithashtu edhe varianti Omicron për të cilin ende ka shumë të panjohura. Çdo shtet është i rrezikuar nga ky dhe variantet e tjera të virusit SARS COV-2, prandaj duhet ndërmarrë masa parandaluese duke kombinuar qasjen: zbatim i masave ne fuqi dhe vaksinim i popullates”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Nga kjo ministri thanë se aktualisht në Kosovë është situatë e qetë epidemiologjike, por që duhet të ketë kujdes maksimal.
“Kosova, këtyre ditëve ka një situatë të qetë epidemiologjike sa i përket COVID-19, por kjo situatë mund të jetë e brishtë dhe duhet kujdes maksimal, pa panik, për të qenë të gatshëm për ballafaqim me cilindo skenar të zhvillimit të ngjarjeve”, thuhet në përgjigjen e tyre.
“Janë ndërmarrë edhe masa të reja të cilat hyjnë në fuqi nga 6 dhjetori, derisa thirrja kryesore për popullatën është që të vaksinohen ata që se kanë bërë ende, ndërsa qytetarët që e kanë marrë vetëm një dozë, ta marrin sa më parë edhe të dytën, derisa pritet që së shpejti të fillojë edhe administrimi i dozës përforëcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundë COVID-19”, kanë thënë nga MSH-ja.
Izraeli konfirmon dy raste me Omicron që i kanë marrë nga tri doza të vaksinës
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit të premten tha se ka konfirmuar shtatë raste me variantin e ri të koronavirusit, Omicron, duke shkaktuar frikë për rritje të mundshme të numrit të infeksioneve. Katër raste janë persona të pavaksinuar, që janë kthyer së fundi nga Afrika Jugore.
Tre të infektuarit tjerë janë dy të kthyer nga Afrika Jugore dhe nga Britania, të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës dhe nga një dozë shtesë të vaksinës së kompanisë “Pfizer”. Personi i tretë ishte kthyer nga Malavi dhe e ka marrë vaksinën e AstraZeneca-s.
izraeli u bë njëri ndër shtetet e para që i ka mbyllur kufijtë për të huajt pas zbulimit të rastit të parë me variantin Omicron javën e kaluar. Izraelitët që ndodhen jashtë vendit mund të kthehen në atdhe.
Ministria e Shëndetësisë tha se ka dyshim të lartë se edhe 27 raste tjera janë me variantin e ri të koronavirusit. Tetë prej tyre janë individë që as nuk kanë udhëtuar jashtë vendit, as nuk kanë qenë në kontakt me të ardhurit së fundi, që kanë dalë pozitivë me Omicron.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar edhe katër raste të reja me COVID-19, si dhe katër persona të tjerë janë shëruar.
Kurse 764 443 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Gazeta Enigma/