Ndeshja e Tottenham Hotspur në Ligën e Konferencës ndaj Rennes e paraparë për t’u zhvilluar sot (e enjte) është anuluar për shkak të një shpërthimi të Covid-19 te klubi anglez.
Tetë lojtarë dhe pesë anëtarë të tjerë të stafit rezultuan pozitivë me coronavirus te Spurs në ditët e fundit, duke e lënë klubin shumë të kufizuar për sa i përket opsioneve të përzgjedhjes.
Ky shpërthim i Covid-19 te klubi anglez ka bërë që ata të kërkojnë nga UEFA anulimin e ndeshjes dhe kjo kërkesë është pranuar nga organet drejtuese.
Megjithatë, Rennes kundërshtoi me zemërim njoftimin e Tottenham, duke thënë se vendimi ishte “i njëanshëm” dhe se Spurs kishte shfaqur mungesë të lojës së ndershme gjatë gjithë procesit.
“Ne mund të konfirmojmë se ndeshja jonë në shtëpi në Grupin G të Ligës së Konferencës kundër Stade Rennais nuk do të zhvillohet nesër (e enjte 9 dhjetor në orën 20:00 në Mbretërinë e Bashkuar) pas një numri rastesh pozitive me COVID-19 në klub”.
“Diskutimet janë duke vazhduar me UEFA-n dhe ne do të ofrojmë një përditësim të mëtejshëm për këtë ndeshje në kohën e duhur”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Tottenham në faqen zyrtare.
Ndryshe, gjatë të mërkurës ka reaguar edhe trajneri i Spurs, Antonio Conte, i cili ndihej shumë i shqetësuar me situatën e krijuar së fundmi te klubi që ai drejton.