Lista Serbe ka dorëzuar sërish një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese, shkruan Gazeta Enigma.
“Kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, u tha në njoftimin e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Lista Serbe thotë se zgjedhja e Rashiqit është “jolegjitime” dhe paralajmëron se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponon serbëve përfaqësues, duke legalizuar ashtu “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.
Nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës kanë konfirmuar se kanë pranuar ankesën e Listës Serbe.
A do pranohet kërkesa nga Gjykata Kushtetuese?
Avokati, Tomë Gashi, në një prononcim për Gazetën Enigma thotë se Gjykata Kushtetuese duhet ta mbrojë Kushtetutën dhe jo Listën Serbe, në këtë drejtim duke refuzuar kërkesën e paraqitur.
“Mendoj se Gjykata Kushtetuese duhet ta mbrojë Kushtetutën dhe jo Listën Serbe. Në aktgjykimin e fundit, Kushtetuesja nuk i ka dhënë mundësinë e vetos Listës Serbe dhe asnjë partie politike, që ta bllokojnë formimin e institucioneve tona”, tha Gashi.
Avokati pati një mal kritikash ndaj kësaj partie, duke e akuzuar për tentim rrënimi të shtetit të Kosovës.
“Lista Serbe dihet se si është formuar në vitin 2014 dhe dihet se është një parti politike, e cila është jashtëzakonisht armiqësore ndaj Republikës së Kosovës. Përveç se nuk e pranon shtetin nëtë cilin vepron, ajo në fakt prej që ekziston, çdo veprim e ka bërëpër ta dëmtuar sa më shumë që të jetë e mundur Pavarësinë e Kosovës dhe shtetin në thellësi. Prej Listës Serbe asgjë e mirë nuk pritet, veçse pritet që në të ardhmen të tentojnë të krijojnë probleme në komunat të cilat fatkeqësisht i kanë fituar, për shkak të presionit që po e bën Beogradi nëpërmjet listës serbe, duke i kërcënuar dhe shantazhuar, një pjesë të qytetarëve që e votojnë Listën Serbe”, deklaroi Gashi për “Enigmën”.
Gashi tha se edhe dërgimi i kësaj kërkese në Gjykatën Kushtetuese e ka qëllimin e njëjtë, “për shkak se faktikisht, Kushtetuta dhe ligjet thonë se duhet të ketë një nënkryetar nga komuniteti serb, mirëpo edhe Nenad Rashiq është serb dhe ai nëfakt është votuar me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”.
Një masë e re e sigurisë nga Kushtetuesja do ishte absurde
Njohësi tjetër i ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecaj, për Gazetën Enigma vlerëson se do ishte absurde nëse Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Listës Serbe për masë të sigurisë, pasi sipas tij “në këtë mënyrë bie ndesh me vetë aktgjykimin e fundit rreth kësaj çështje”.
Megjithatë, Nrecaj shprehet i bindur se Gjykata Kushtetuese nuk do e aprovojë këtë kërkesë, nëse Lista Serbe është bazuar në pretendimin se posti i nënkryetarit i takon ekskluzivisht kësaj partie.
“Në aktgjykimin e fundit, Gjykata e ka përdorur parimin e zhbllokimit, që do të thotë se edhe pse me rregullore të Kuvendit i takon e drejta e propozimit të nënkryetarit nga grupi shumicë, ata të gjithë e kanë shfrytëzuar të drejtën dhe ajo e drejtë është ezauruar. Me parimin që ka përdorë Gjykata Kushtetuese, jo domosdoshmërish duhet të jetë nga Lista Serbe, sepse këtë nuk e ka të garantuar as në Kushtetutë”.
“E ka të garantuar që ata me propozu, i kanë propozuar të gjithë dhe asnjëri nuk ka marrë vota të mjaftueshme. Prandaj është shkuar me opsionin tjetër, Nenad Rashiqi dhe ai i ka marrë votat”, shprehet Nrecaj për “Enigmën”.
“Nga ana tjetër, në aktgjykim, Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se nëse partia e së cilës i takon e drejta, nuk bashkëpunon me Kuvendin, pra në këtë rast refuzon me propozu edhe dikë tjetër që nuk është pjesë e partisë së tyre, këtu del elementi bllokues. Nuk mundet që ata ta kenë veton që me patjetër të jetë nënkryetari nga radhët e tyre”, deklaroi më tej njohësi i ligjeve.
Si u konstituua Kuvendi?
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
Kushtetuesja kishte trajtuar ankesën e dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuarKuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.
Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.
Në vendimin e Kushtetueses u tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.
Votimi i Rashiqit u mundësua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetëve të tjerë joshumicë. /Gazeta Enigma/