A do ketë pajtueshmëri për buxhet mes partive apo do shkojë shteti në bllokadë? Ekspertët japin paralajmërime

A do ketë pajtueshmëri për buxhet mes partive apo do shkojë shteti në bllokadë? Ekspertët japin paralajmërime

Shteti i Kosovës është buzë një krize buxhetore, pasi mungesa e një Qeverie të plotfuqishme ka bërë që të mos miratohet buxheti për vitin 2026.

Me dështimin e krijimit të Qeverisë nga Albin Kurti dhe refuzimin e partive ish opozitare për të marrë në dorë krijimin, gjasat që të shkohet në zgjedhje sa vinë e shtohen, shkruan Gazeta Enigma.

Por, ashtu siç është paralajmëruar edhe nga vetë Kurti, mund të ketë zgjedhje në dhjetor e të mos ketë sërish pajtueshmëri e po ashtu mund që të ketë sërish zgjedhje në prill të vitit tjetër kur vjen në rend zgjedhja e Presidentit dhe sërish të mos ketë pajtueshmëri.

E gjitha kjo situatë vë në pikëpyetje punët që duhet të kryhen sa më shpejtë.

Për ta gjetur një zgjidhje Kryesia e Kuvendit u mblodh sot, me qëllim që të krijohen komisionet për miratimin e buxhetit për tri komunat që janë pa buxhet; Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Kjo pasi që anëtarët e PDK-së dhe LDK-së refuzuan një gjë të tillë, duke e quajtur “antikushtetuese”.

Zemaj: Nuk ka pajtueshmëri, kur shkelet Kushtetuta dhe ligjet në fuqi Anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga LDK,

Armend Zemaj, tha në një prononcim për Gazetën Enigma se janë kundër krijimit të komisioneve, pasi një gjë e tillë shkel ligjet dhe Kushtetutën.

“Nuk ka pajtueshmëri, kur shkelet Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Nuk mund që ne të bëhemi pjesë e shkeljes kushtetuese dhe ligjore. Ne nuk marrim pjesë në një veprim të tillë”, tha Zemaj.

Deputeti i LDK-së thotë se e vetmja pikë e rendit të ditës që mund të jetë për seancë të Kuvendit, “është zgjedhja e Qeverisë, nëse ka emër të dytë ose nëse dikë e mandaton Presidentja, që e ka në plan të ketë 61 deputetë”.

“Nuk ka procedurë për miratim të buxhetit. Nuk është çështje dëshirash se a pranojmë ne apo jo. Asnjë legjislaturë e re nuk procedon me ligje të vjetra të një Qeverie që është në dorëheqje. Nuk është as Qeveri në detyrë, pas konstituimit të Kuvendit”, u shpreh tutje Zemaj për “Enigmën”.

“Buxhet për shtetin po – për komunat jo” Se krijimi i komisioneve është antikushtetues, e thotë edhe eksperti i ligjeve, Anton Nrecaj. Nrecaj, për Gazetën Enigma thotë se tri komunat nuk mund ta kenë buxhetin, pasi kjo nuk mund të bëhet pa pasur një Qeveri plotë legjitime.

“Çdo vendim që e merr Qeveria tani, sa i përket buxhetit, pra nga Qeveria në largim, sipas ligjit, është vendim i paligjshëm. Sepse është Qeveri në detyrë. Ligji thotë se Qeveria mund të vazhdojë vetëm në kontekstin administrativ. Asnjë vendim sa i përket buxhetit të financave nuk ka të drejtë me e marrë. Këtë e ka konstatuar edhe Gjykata Supreme”, thotë Nrecaj.

“Nuk mundet që komisionet të marrin vendime të tilla për buxhetin. Ai është dorëzuar prej Qeverisë. Për me u kriju komisionet, duhet të formohet Qeveria. Ministri i Financave do duhej ta kërkojë aprovimin e buxhetit nga komisioni, por në këtë rast ne nuk kemi ministër e as Qeveri të formuar”.

“Kuvendi nuk mund të marrë këso vendime”, deklaron eksperti i ligjeve.  

Ndërkohë, sa i përket buxhetit shtetëror, Nrecaj thotë se ligji dhe praktikat e mëhershme, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese po ashtu, e përcaktojnë se buxheti shtetëror mund të miratohet, nëse është i njëjti nga i vitit paraprak.

“Gjykata Kushtetuese ka vendosur praktika në rastin e Qeverisë Thaçi 1, në Qeverinë Mustafa, në Qeverinë Haradianaj, si dhe në rastin e Qeverisë Kurti 1. Pra është deshur që të miratohet dhe votohet buxheti, në mënyrë që të mos vihet në bllokadë shtetërore. Pavarësisht ligjit për Qeverinë që e kemi tani, i cili kufizon jashtëzakonisht shumë veprimet e Qeverisë në detyrë, sipas praktikave dhe aktgjykimeve, Gjykata Kushtetuese ka lënë hapësirë që në situata të jashtëzakonshme, mundet që edhe Qeveria në detyrë të propozojë buxhetin e vitit paraprak, pa bërë asnjë ndryshim”.

“Pra, buxheti aktual që është i vitit 2025, mundet me u propozu pa asnjë ndryshim, që të votohet pastaj në Kuvend. Por, që të bëhet kjo, fillimisht duhet që partitë politike të dakordohen që të votohet në Kuvend dhe pastaj me u shpall zgjedhjet”, deklaroi Nrecaj.

Sipas ligjit për menaxhimin e financave publike, nesër është afati i fundit që projektbuxheti të shkojë në Kuvend, pra 31 tetori. Nrecaj thotë se të premten duhet të vendoset gjithçka.

“Para se të shkohet në zgjedhje, duhet të ketë dakordim që shteti të mos shkojë në kolaps. Ligji dhe praktikat lejojnë që i njëjti buxhet të votohet në Kuvend dhe të ndryshohet kur të vijë Qeveria e re. Mund të kemi ngërç politik të njëjtë siç e kemi pasur deri tani dhe shteti nuk mund të mbetet i bllokuar shkaku i mosmarrëveshjeve politike”, u shpreh njohësi i ligjeve.

Çfarë e pret Kosovën nëse nuk miratohet buxheti për vitin 2026?

Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, deklaroi se mosmiratimi i buxhetit për vitin 2026 do të rezultojë me kolaps institucional.

“Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2026 ka pasoja rrjedhimore në aspektin ekonomik, pasi krijohet kolaps institucional, bllokim fiskal dhe mungesë besimi institucional. Si pasojë, mund të ndodhë mospagesa e pagave në sektorin publik, që përfshin rreth 84 mijë nëpunës publikë, përfshirë sektorin e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, ushtrisë, policisë, zjarrfikësve, si dhe të gjithë punëtorët e administratës publike,” u shpreh Bellaqa. Sipas tij, situata të tilla krijojnë pasiguri edhe për investitorët e huaj dhe të brendshëm.

“Gjithashtu, nuk realizohen as financimet për projektet kapitale dhe infrastrukturore, as për mallra dhe shërbime. Po ashtu, nuk ekzekutohen kategoritë pensionale dhe ato me mbështetje sociale, si dhe pagesat ndaj komunave. Krijohet pasiguri edhe për investitorët e huaj dhe të brendshëm, nuk ka shpenzime publike e private, dhe ekonomia del nga shtrati i vet. Duhet konstatuar se projektbuxheti është dokumenti unik më i rëndësishëm i çdo qeverie dhe populli, sepse nga ai varet mirëqenia socio-ekonomike dhe rritja ekonomike,” tha Bellaqa.

Tutje, njohësi theksoi se çështje të tilla, si buxheti i shtetit, nuk duhet të politizohen.

“Besoj se kjo nuk duhet dhe nuk do të ndodhë, sepse ndikon negativisht në rritjen ekonomike dhe mirëqenien sociale. Buxhetin duhet ta përgatisë qeveria aktuale në detyrë dhe parlamenti duhet ta miratojë. Në të ardhmen, qeveria e re mund të bëjë rishikim buxhetor dhe të shtojë prioritetet nëse ka, por kjo çështje nuk duhet të politizohet,” përfundoi Bellaqa për Enigmën.

Afati drejt skadimit Deri më 31 tetor, Qeveria në detyrë ka afat ligjor për ta proceduar në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2026.

Sipas Ligjit për Ekzekutivin, qeveria në dorëheqje apo ajo në detyrë nuk ka të drejtë të sponsorizojë ligje, por kjo ndalesë nuk vlen për buxhetin, shkruan Gazeta Enigma.

Megjithatë, gjatë së martës, as Zyra e Kryeministrit dhe as Ministria e Financave nuk kanë bërë të ditur nëse buxheti do të dërgohet në Kuvend. Sipas procedurave parlamentare, projektbuxheti duhet të shqyrtohet fillimisht nga disa komisione funksionale të Kuvendit – struktura këto që ende nuk janë formuar. /GAZETA ENIGMA

Related Articles