A duhet të shkarkohet Donika Gërvalla? Deklarohen nga opozita dhe OVL për Gazetën “Enigma”, parashihen edhe protesta

A duhet të shkarkohet Donika Gërvalla? Deklarohen nga opozita dhe OVL për Gazetën “Enigma”, parashihen edhe protesta

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëzëri me subjektet opozitare të vendit po e kërkojnë shkarkimin e Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës. Shkak për këto thirrje janë bërë tash e disa ditë, deklarimet e Gërvallës lidhur me luftën e UÇK-së, shkruan Gazeta “Enigma”.

Udhëheqësit e OVL-së, tashmë kanë njoftuar se me 12 qershor do të mbajnë proteste, pasi sipas tyre institucionet e Kosovës nuk po i mbrojnë vlerat e UÇK-së.

“Të gjithë e kemi të ditur se Institucionet e Kosovës kanë dalë hapur jashtë vlerave kombëtare.Kohë më parë, vërehet tendencë e akuzave ndaj krerëve të UÇK-së, që nga Kryeministri AlbinKurti, Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schëarz, e tani Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka paralajmëruar protestë masive pas vazhdës së deklarimeve të, siç i quan ai, skandaloze, të ministrave të Qeverisë Kurti, si dhe arrestimit të veteranit Faik Fazliu.

Ai për Gazetën “Enigma” ka thënë se presin edhe mbështetjen e qytetarëve në aksionin e OVL-së, që do të mbahet të shtunën.

“Ne presim mbështetje sepse aktiviteti protestues mbahet të shtunën dhe është aktivitet në të cilin mund të marr pjesë secili qytetar”, tha ai.

Sipas tij tash e disa kohë janë parë tendenca nga krerët e institucioneve kosovare që tentojnë ta dëmtojnë luftën e UÇK-së. “Kohë më parë, vërehet tendencë e akuzave ndaj krerëve të UÇK-së, që nga Kryeministri Kurti, Ministrja e Jashtme Gërvalla-Schëarz, e tani Ministri i Brendshëm Sfeçla”, ka dekaruar ai.

Ish komandati i UÇK-së: Të dëgjohet zëri i OVL-së


Kurse, ish komandanti i UÇK-së, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, Xhavit Haliti për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se ndonëse zyrtarisht në Kuvend nuk është kërkuar shkarkimi i Gërvallës, zëri i OVL-së së UÇK-së, duhet të dëgjohet. “Shkarkimi, ta shohim, unë nuk e di që ka kërkuar dikush zyrtarisht shkarkimin e Ministres Gërvalla ose që ka mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës për të. Reagimet e popullit, të shoqatave jo qeveritare janë fushë tjetër dhe nuk i takon institucioneve, por normalisht zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe analizohet”, theksoi ai.

Po ashtu edhe deputet nga partia e Halitit, e kanë kërkuar tashmë publikisht shkarkimin e kryediplomates, Donika Gërvalla.

Në anën tjetër analisti Mazllum Baraliu, protestat e paralajmëruara nga OVL-ja i sheh si legjitime, ndonëse sipas tij institucionet duhet ta bëjnë punën e tyre pa presion.

“Protesta është mjet dhe instrument legjitim, i kujtdo çoftë, por për gjëra të tilla mendoj që nuk ka as bazë e as nevojë për dorëheqje. Duhet lejuar që institucionet ta bëjnë punën e tyre e jo të tentohet të pengohen. Edhe në qeverisjet e kaluara segmente të caktuara, kanë deklaruar gjëra të cilat nuk është dashur të thuhen në atë mënyrë. Sidoqoftë protesta është mjet demokratik”, ka thënë ai për Gazetën “Enigma”.

Përndryshe në një intervistë dhënë gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung, edicionin ndërkombëtar, kryediplomatja Donika Gërvalla, ishte cituar se po kërkon që vrasjet e pasluftës të hetohen, derisa në tekst thuhet se vrasjet ndodhën pas tërheqjes së trupave serbe dhe se “vrasjet u kryen kryesisht nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Viktimat ishin kundërshtarë serbë, romë dhe shqiptarë të UÇK-së. Disa ish-komandantë janë në paraburgim në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë”, vazhdon teksti i shkruar nga gazetari, Andreas Reich. Ndërkohë pas raportimit të mediave për deklarimet e Gërvalles, kishte reaguar vet Gërvalla, duke thënë se ishte nxjerrë nga kontekti intervista e saj./Gazeta Enigma.

Related Articles