A duhet të shkarkohet ministri Rakiq pas ‘kërcënimeve’ të fundit? Opozita fajëson Kurtin për mungesë guximi

A duhet të shkarkohet ministri Rakiq pas ‘kërcënimeve’ të fundit? Opozita fajëson Kurtin për mungesë guximi

I paguximshëm në raport me ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, po tregohet kryeministri, Albin Kurti, i cili përkundër ‘kërcënimeve’ të vazhdueshme të Rakiq, nuk po e shkarkon atë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kështu të paktën vlerëson, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se pikërisht mos shkarkimi i Rakiq nga Kurti dëshmon afërsinë ndërmjet LVV-së dhe Listës Serbe.
 
“Mosguximi i Kryeministrit Kurti për ta shkarkuar ministrin Rakiq është dëshmia më e mirë e afërsisë ndërmjet tyre dhe funksionimit të koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Krasniqi tutje thotë, se s’është hera e parë që Rakiq deklarohet kundër sovranitetit të Kosovës, por që sipas tij asnjëherë nuk është marrë asnjë masë ndaj tij.

 “Tashmë disa herë ministri Rakiq ka dhënë deklarata kundër sovranitetit të Kosovës, në kundërshtim edhe me qeverinë Kurti, pjesë e të cilës është që nga fillimi, por asnjëherë, asnjë masë nuk është marrë ndaj tij. Përkundrazi, ka pasur raste kur Kryeministri Kurti ka thur lavdata për ministrin Rakiq”, theksoi tutje ai.

Reciprocitet kundrejt Kosovës – kërcënimi i ri i Rakiq


Ndërkohë kërcënimi i fundit që erdhi nga kryetari i Listës Serbe, njëherit ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, ndodhi në protestat e fundit në veri të Mitrovicës, më 16 janar, ku serbët po protestonin për ndalimin që iu bë nga qeveria që të votonin për referendumin serb në Kosovë.

Ai paralajmëroi masë reciprociteti karshi Kosovës, ndonëse nuk dha detaje se për çfarë saktësisht bëhej fjalë.

“Nëse me 3 prill nuk lejohen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, atëherë do të vendoset reciprocitet dhe masat do të jenë serioze”, ka thënë Rakiç.

Ai tha se serbët nga Kosova nuk do të “lejojnë që Prishtina t’i trajtojë ata si qytetarë të dorës së dytë”, duke theksuar se e drejta e votës është një e drejtë themelore e njeriut e garantuar me të gjitha normat dhe rregulloret ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Për këtë arsye ne tani po themi se zgjedhjet serbe më 3 prill do të mbahen në të gjitha sferat në Kosovë, tha Rakiq, duke shtuar se serbët nga Kosova janë të përkushtuar për një jetë të qetë dhe normale në liri.

“Ne paralajmërojmë Prishtinën dhe komunitetin ndërkombëtar se vendimi për ndalimin e referendumit do të ketë pasoja të paparashikueshme”, theksoi tutje ai.

Lekaj i AAK-së pro dënimit të kërcënimeve të Rakiq

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, vlerëson se deklarimet e ministrit Rakiq, janë vazhdimsi e provokimeve të njëpasnjëshme të shtetit serb dhe të deleguarve të tyre në Kosovë. Lekaj për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se kërcënimet e tilla duhet ‘dënuar’ nga kryeministri Kurti.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj


“Këto deklarata janë në vazhdën e provokimeve të Serbisë dhe të deleguarve të tyre në Kosovë. Se çka ka menduar dhe çka mendon Z. Rakiq është e ditur tashmë, po shqetësuese është se ai është anëtar i Qeverisë Kurti dhe në këtë aspekt këto deklarata duhet të dënohen maksimalisht nga kryeministri Kurti”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka hezituar të tregoj nëse duhet të shkarkohet ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq.

Pas kërkesave për shkarkimin e ministrit Rakiq, deputeti i VV-së, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do të marr vendimin e duhur për këtë çështje.

“Fatkeqësisht Lista Serbe i ka 10 deputetët që të gjithë janë njëjtë. Ne nuk kemi pasur zgjidhje tjetër për shkak se Kushtetuesja na obligon me pasë një ministër serb. Unë besoj që Kurti do e merr vendimin e duhur në momentin e duhur”, u shpreh ai.

Përpos këcënimeve të fundit, muaj më parë Rakiq ka paralajmëruar se nëse nuk formohet Asociacioni i Komunave serbe, Lista Serbe do të largohet nga koalicioni qeverisës. /Gazeta Enigma.

Related Articles