Disa mjekë me prejardhje nga Kosova, që punojnë jashtë shtetit, nuk janë të interesuar për punë në Kosovë, edhe pse kanë marrë ftesë nga Ministria e Shëndetësisë.
Lekë Abdyli, hematolog në një spital në Grac të Austrisë, thotë shkurtimisht për REL-in se nuk do ta ushtronte profesionin e tij në Kosovë.
“Janë shumë arsye, infrastruktura e mjekësisë që është zero, pastaj pagesa dhe përfitimet e tjera”, thotë ai.
Ai nuk tregon se sa paguhet për punën që bën, por në Kosovë paga bruto e një mjeku është 630 euro.
As Shaip Ibishi, specialist i gjinekologjisë në Gëtingen të Gjermanisë, nuk është i mendimit për t’u angazhuar në Kosovë.
“Nuk është në pyetje vetëm paga, por janë edhe kushtet e punës [në Gjermani], mundësia që ofrohet në mjekësi moderne, investimet në aparaturë, teknologji etj.”, thotë Ibishi, i cili ka vite që punon në shtetin e Evropës perëndimore.
Muajin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës u ka bërë thirrje profesionistëve të fushave të ndryshme mjekësore në mesin e mërgatës shqiptare, për angazhim dhe punë në institucionet shëndetësore publike të Kosovës.
Ajo nuk ka dhënë ndonjë arsye apo informacion se në çfarë mënyre apo kushtesh do të angazhoheshin ata. Nuk ka treguar as cilat profile të mjekëve i kërkon.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, nga kjo ministri thonë se “aspektet që ndërlidhen me pagën dhe çështje të tjera, do të diskutohen në proces e sipër”.
Sipas tyre, thirrja është bërë për të gjitha fushat e shëndetësisë, por me theks të veçantë në fushat deficitare.
“Fusha deficitare në këtë sistem janë: kardiokirurgjia, mjekimi intensiv, anesteziologjia (ka kuadër, mirëpo nevojat janë më të mëdha), kardiokirurgjia e fëmijëve etj.”, thuhet në deklaratë.
Kosova, prej vitesh, përballet me mungesë mjekësh.
Vetëm gjatë këtij viti, 200 mjekë të profileve të ndryshme kanë braktisur sistemin shëndetësor dhe kanë emigruar kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, thotë për Radion Evropa e Lirë Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës.
REL, në të kaluarën, ka raportuar për disa raste të këtyre mjekëve specialistë që e kanë lëshuar punën. Si arsye, ata kanë përmendur kushtet jo të mira në punë dhe pagën, sipas tyre, të ulët.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se thirrjes së tyre i është përgjigjur “një numër solid i mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë” nga diaspora, por nuk specifikojnë më shumë.
“Disa nga ta janë profesionistë që punojnë në institucione mjaft kredibile ndërkombëtare”, thonë ata.
Një prej tyre është Liron Pepshi – aktualisht psikiatër në qytetin Bernkastel-Kues të Gjermanisë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se është i gatshëm t’i ndihmojë kolegët në Kosovë, por jo të kthehet përgjithmonë.
Në spitalin ku punon, Pepshi thotë se paga e një psikiatri sillet nga 5.500 deri në 7.500 euro, varësisht nga pozita.
Ai thotë se ka aplikuar në thirrjen e Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë dhe se është në pritje të më shumë informacioneve për të vendosur për hapat e mëtejshëm.
“Më 15 dhjetor kam pranuar një email nga Ministria e Shëndetësisë, që e kanë pranuar kërkesën time, dhe aty thuhet: ‘planifikojmë të rezervojmë terminët për takimet individuale që mund të jenë virtuale, për të ndarë më shumë detaje me ju’”, tregon Pepshi.
Në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pohojnë se kanë kuadër të mjaftueshëm, por se ka hapësirë edhe për disa.
“Nuk kemi nevojë për shumë, një ose dy psikiatër nga mërgata… gjithsesi do të ishte mirë”, thotë drejtori i kësaj klinike, Faton Kutllovci, për Radion Evropa e Lirë.
Sejdiu, nga Oda e Mjekëve të Kosovës, apelon që të kihen parasysh edhe spitalet rajonale dhe qendrat e mjekësisë familjare.
“…sepse, ka mungesë të hematologëve. Nëse themi se ka në QKUK, në spitale rajonale nuk e di nëse janë një apo dy. Vërehet mungesa e tyre, mungesë ka edhe të gjinekologëve, por kulmi është te mungesa e anesteziologëve”, thotë Sejdiu.
Në mungesë të stafit, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Skenderaj – rreth 50 kilometra larg Prishtinës – i ka vazhduar kontratën një gjinekologu në pension.
Bashkim Nura, ushtrues detyre i drejtorit të kësaj qendre, thotë për REL-in se ky institucion ka nevojë edhe për specialistë të fushave tjera.
Në muajin shtator, REL ka pasur një raport për mungesat e anesteziologëve dhe të infermierëve që kanë shkaktuar krizë.
Në mungesë të mjekëve, por edhe të kushteve adekuate, pritjet për shërbime të caktuara në spitale zgjasin me muaj apo vite.
Në mungesë të personelit, për pacientët e shtrirë në spitale shpesh duhet të kujdesen edhe familjarët.
Për më tepër, qytetarët në Kosovë nuk kanë as sigurime shëndetësore. Vetëm disa mund të jenë të siguruar përmes kompanive private, që ofrojnë shërbime të tilla.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar në muajin shtator se ka formuar Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, përgjegjësitë e të cilit është thënë se do të përfshijnë zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë.