Dy ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë shpallur fajtorë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, duke u dënuar kështu me nga 4 vjet e gjysmë burgim e gjobë në shumën prej 100 eurove, shkruan Gazeta Enigma.
Por, a mund të rigjykohen Gucati dhe Haradinaj?
Monitoruesja për çështje të drejtësisë, Medina Kadriu nga IKD thotë se paneli i Gjykatës së Apelit mund t’i lërë në fuqi, prapësoj ose ndryshojë aktgjykimet e trupit gjykues. Madje, sipas saj paneli i Gjykatës së Apelit mund të urdhërojë që personi i shpallur i pafajshëm ose fajtor, të rigjykohet nga trupi gjykues.
“Ky proces është mirë të sqarohet për publikun se nuk lidhet me akuza për krime lufte, por kryesisht për pengim në administrimin e drejtësisë. Ligji për Dhomat e Specializuara përvec hetimit, ndjekjes dhe gjykimit të krimeve të luftës ka paraparë edhe ndjekjen dhe gjykimin e rasteve kur shtetas të Kosovës me veprime apo mos veprime pengojnë punën e gjykatës”, tha Kadriu për Gazetën Enigma.
Madje, Kadriu thotë se aktgjykimi i shpallur gjatë ditës së sotme nuk është përfundimtar dhe nuk ka të bëjë me krime lufte, por me vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Ajo thotë se “ky aktgjykim është i shkallës së parë dhe brenda 30 ditësh nga dalja e aktgjykimit, palët mund të bëjnë njoftim se do të atakojnë këtë vendim të shqiptuar, ku në njoftim parashtrohen dhe arsyet e apelimit të tij”.
Si mund të ngritet çështje për rigjykim?
Kadriu thotë se brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel dhe kur çmohet e nevojshme pas kësaj, kryesuesi i panelit ose gjykatësi raportues nëse është caktuar, thërret një konferencë për t’i mundësuar çdo personi të paraburgosur në pritje të apelit të ngrejë çështje lidhur me apelin, përfshirë edhe lidhur me gjendjen mendore dhe fizike të personit.
“Pala që e apelon vendimin paraqet dosjen e apelit ku parashtron të gjitha argumentet dhe burimet ligjore në mbështetje të arsyeve për apel brenda 60 ditësh, ose, nëse apeli lidhet vetëm me dënimin, brenda 30 ditësh nga njoftimi për apel. Pas kësaj, rrjedhin dhe afatet tjera kohore sa i përket kthimit të përgjigjeve lidhur me pretendimet që pala tjetër i paraqet”
“Pas përfundimit të afateve kohore për paraqitjen e dosjeve, ndërkaq paneli i Gjykatës së Apelit mund të caktojë datën e seancës së apelit, nëse është e nevojshme, ndërkaq aktgjykimi i apelit shqiptohet brenda 60 ditësh nga parashtrimi i fundit prej palëve”.
“Nëse palët janë të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit, ata kanë në dispozicion mjetet e jashtëzakonshme juridike, të cilat i parashtrojnë në Gjykatën Supreme”.
Përveç kësaj, Kadriu thotë se “mund t’i drejtohen dhe Dhomës Kushtetuese në rast se pretendojnë se të njëjtëve iu kanë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumente të ndryshme ndërkombëtare”.
Vendimin e panelit të Gjykatës disa e kanë konsideruar si të bazuar, ndërsa përfaqësuesit e politikës e kanë kundërshtuar duke e bashkëndjerë këtë me familjarët e ish krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinajt.
LEXO EDHE: Bashkëshortja e Nasim Haradinajt: Mu duk sikur aty janë serbët, e pritëm këtë vendim
Ndryshe, Gucati dhe Haradinaj janë shpallur fajtorë për publikimin e dokumenteve të Speciales. /Gazeta Enigma/.
LEXO MË SHUMË: Për çka akuzohen ata?