A mundet Kosova ta padisë Serbinë për gjenocid? Flasin profesorët për Gazetën Enigma

A mundet Kosova ta padisë Serbinë për gjenocid? Flasin profesorët për Gazetën Enigma

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin ka prezantuar ditë më parë plan programin qeverisës në të cilin parashihet adresimi i krimeve të luftës, me theks të veçant ngritjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid, por se cilat janë gjasat e Kosovës që kjo nismë të dal e suksesshme kjo mbetet e paqartë.



Për të diskutuar këto zhvillime por dhe për të kuptuar rëndësinë e këtij procesi juridik, Gazeta Enigma ka bashkëbiseduar me dy profesorë, të cilët thanë se kjo rrugë është e gjatë por dhe e komplikuar e cila do të mund të sillte efekte të ndryshme për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas profesorit të Universitetit të Prishtinës, Flamur Hyseni, nisma e qeverisë është e qëlluar marrë parasysh që krimet e luftës nuk kanë datë parashkrimi.

“Iniciativa e Qeverisë për të bërë padi kundër Serbisë për gjenocid është iniciativë e duhur. Tani kanë kaluar mbi 20 vite, por, krimet e luftës dhe gjenocidi nuk parashkruhen, prandaj në aspektin kohor nuk ka asnjë problem.“ tha Hyseni

Por Hyseni tha se për një padi të tillë duhet kujdes dhe përgaditje maksimale.

“Përgatitja e padisë e merrë një kohë sepse duhet të përgatitet me kujdes. Plus kur dihet se janë edhe disa specifika tjera juridike lidhur me subjektivitetin e Kosovës në raport me GJND-ën.”

Ndërsa i pyetur për efektet politike dhe juridike që do të mund të sillte kjo nismë ligjore ndërmjet dy vendeve, profesori u shpreh se është e pa mundur të parashikohen rezultatet e saj.

“Para se të ketë efekt politike, me rëndësi është që kjo padi të ketë efektin e duhur juridik. Pastaj, pa dyshim efektet juridike të kësaj padie do të prodhojnë edhe efektet e duhura poltike të cilat mund të jenë të lloj llojshme dhe të paparashikuara.”

Ndërsa në anën tjeter, për profesorin e të drejtës ndërkombëtare, Dukagjin Leka, Kosova duhet t’a përdor këtë proces si “kartë” në raportet politike që do t’i jepte shtetit tonë një momentum të ri politik.

Sidoqoftë çështja e krimeve të gjenocidit është shumë e ndërlikuar për tu fituar si e tillë dhe mendoj se në fund kjo çështje do të përdoret më tepër si kartë e mirë e Kosovës në raport me zhvillimet politike të ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kjo mund të jetë e tillë deri në një momentum të ri të Kosovës.” vlersoj ai.

Leka u shpreh skeptik për nismën e qeverisë së Kosovës për ta paditur Serbinë për gjenocid në Kosovë, pikërisht duke përmedur faktin që Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe formalisht nuk mund ta bëjë këtë. 

“Pranë GJND-së mund të paraqiten vetëm shtetet palë të Kombeve të Bashkuara, pastaj shtetet jo anëtare të Kombeve të Bashkuara por që janë palë në Statutin e GJND-së, e në të dy rastet Kosova nuk është e tillë. Kosova nuk është gjithashtu palë nënshkruese edhe e Konventës kundër Gjenocidit, e cila ja kufizon mundësinë Kosovës për të bërë një padi të tillë.”

Ai sqaroi për Gazetën Enigma dhe hapësirat ligjore që do të mund të gjenin zbatim për padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Kosova e ka një mundësi të vogël, e cila i mundëson shteteve jo anëtare të KB dhe atyre që janë palë të Statutit të GJND-së që të mund të depozitojnë raste pranë GJND-së, ku Kosova do të duhej paraprakisht të depozitonte një deklaratë se do të pranojë juridiksionin e GJND-së, Kartën e OKB-së, Statutin e GJND-së si dhe vendimet e saj, i cili proces duhet të kaloj nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, që edhe më tepër e vështirëson këtë proces”.

Rrjedhimisht sipas tij e vetmja zgjidhje momentale mbetet ndihma nga shteti i Shqipërisë për të realizuar këtë nismë të qeverisë aktuale, por ai shprehu dyshimet nëse shteti shqiptar do të merrte vërtetë këtë hap.

“E vetmja zgjidhje e mundshme për Kosovën në situatën dhe kohën momentale do të ishte shfrytëzimi i Shqipërisë për të bërë një padi të tillë… por edhe kjo mundësi është shumë vështirë e realizueshme, duke marrë parasysh gatishmërinë e politikës së Shqipërisë për ta bërë një gjë të tillë.” përmbylli ai.

Kujtojmë se gjatë muajit maj Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq kishte komentuar mundësinë që Kosova ta bëjë padinë ndaj shtetit që ai udhëheqë.

Vuçiç kishte thënë se “Padia është një kërcenim dhe as nuk duhet provuar”, dhe kishte shtuar se Kosova s’mund ta bëjë këtë për arsyje se nuk është pjese e OKB-së, dhe u kishte Shqiptarëve që të mos e ndërmarrin këtë hap.

Megjithatë ideja për padi ndaj krimeve të luftës ishte përmendur disa herë nga Ish Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili në vitin 2015, si Minister i Punëve të Jashtme të Kosovës, kishte thënë se “Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Ne kemi prova, dëshmitarë dhe e gjithë bota e di këtë”.

Idejën për padi, Thaçi e kishte vazhduar edhe gjatë kohës sa ishte zgjedhur President i Kosovës, për të cilën ishte kritikuar jo rrallë herë nga opozita dhe shoqëria civile e asaj kohe.

Sidoqoftë historiku i akteve të tilla ligjore nga shtetet tjera të ballkanit ka qenë i kushtueshem por dhe jo efikas.

Bosnja dhe Hercegovina në vitin 1993 kishte ngritur padi ndaj Serbisë për krime të luftës, por kjo procedurë gjyqësore kishte marrë epilog pas 14 viteve, në të cilën Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë kishte konstatuar se vrasjet e rreth 8 mijë myslimanëve të Bosnjë e Hercegovinës në Srebrenicë, kanë përbërë gjenocid.

Edhe shteti Kroat më 1999 kishte kërkuar që Serbia të denohej pasi ajo ishte fajtore për spastrim etnik.

Pas një lufte ligjore, në të cilën dhe Serbia kishe bërë kundër padi ndaj Kroacisë, GJND-ja më 2015 kishte marrë vendim që asnjëri shtet nuk kishte kryer krime kundër njerëzimit.

Por vlen të theksohet se shpenzimet e këtyre procedurave ligjore, Kroacisë i kishin kushtuar 3.7 milion euro, ndërsa Serbisë mbi 800,000 euro ndërsa rezultati qe i pakënaqshëm për të dy palët.

/Gazeta Enigma/ Liridon Rama.

Related Articles