Kosovë: Sa ndikoi ardhja e mërgmitarëve në rritjen e rasteve me COVID-19?

Kosovë: Sa ndikoi ardhja e mërgmitarëve në rritjen e rasteve me COVID-19?

Viti 2022 nuk është se nisi mbarë, duke u bazuar në shifrat alarmante nga COVID-19, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Ardhja e mërgimtarëve nga vendet me Omicron ndikoi në rritjen e rasteve pozitive edhe tek ne sipas infektologut Ramadani.

Ai ka theksuar se ardhja e mërgimtarëve nga vendet ku kanë pasur raste edhe më herët me Omicron mund të nxisin rritje të rasteve me të infektuar.

“Lëvizja e madhe e qytetarëve prej vendeve siç është Britania, Gjermania, Franca, Italia e tjera në Evropë si epiqendër mendohet se është Britania, bëjnë të mundur këtë. Tashmë janë duke ardhur festat e fundvitit, ku lëvizja e madhe e qytetarëve, nga një vend në tjetrin qoftë në vendin tonë apo në vende tjera, do ta mundësojnë në mënyrë shumë të madhe edhe përhapjen me Omicron”, ka deklaruar ai.

Vetëm nga 1 janari e deri më tani në Kosovë janë shënuar 889 raste të reja me COVID-19

Më 1 janar të këtij viti Kosova regjistronte 47 raste pozitive me coronavirus, të shtunën e 8 janarit sipas Ministrisë së Shëndetësisë ky numër është rritur në 264.

Gjithsej në Kosovë, me COVID-19 janë mbi 1 mijë raste aktive.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në një prononcim për media, tregoi se si janë duke shqyrtuar mundësinë e ashpërsimit të masave, për shkak të përhapjes së variantit Omicron.

Pas mbledhjes së komitetit për menaxhimin e pandemisë, Latifi ka thënë se as Kosova nuk pritet t’i shpëtojë ndonjë vale të re infektimi.

“Është shumë e mundshme se do të përballemi me një valë tjetër si të gjitha vendet e tjera. Një element inkurajues është se Omicroni nuk është aq i rrezikshëm si formë, krahasuar me format e tjera të mëparshme. Pavarësisht kësaj, ne duhet t’i marrim të gjitha masat që të kemi kujdes”, ka thënë Latifi.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva

Në lidhje me këtë në një deklaratë për Gazetën “Enigma”, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka deklaruar se masat e reja duhet ta kenë parasysh jo vetëm shëndetin e qytetarit, por edhe atë ekonomik.

“Ne e kemi thënë gjithmonë kur është në pyetje shëndeti ne e kuptojmë gjërat. Por, gjithmonë duke e ruajtur edhe shëndetin ekonomik, prandaj nëse një vendim pa u konsultuar me neve asnjëherë nuk e pranoj, asnjë vendim nuk e pranojmë pa u konsultuar me neve, pavarësisht edhe i mirë nëse është, sepse jemi marrë vesh që të konsultohemi të gjejmë mesin duke e ruajtur edhe shëndetin edhe shëndetin ekonomik.

“Nuk na vyn me shku në bankrotim, prandaj jemi për atë që të mos merren vendime paushallë pa u konsultua me neve”, është shprehur Sogojeva .

Ndërsa, ka shtuar se do të kundërshtojnë çfarëdo vendimi që do të ndërmerret e që nuk është i mirë.

“Nëse del një vendim dhe ne e shohim që nuk është i mirë atëherë mblidhemi dhe nuk përjashtohet me reagua ashpër ndaj atyre vendimeve, nuk e di se çka do të del por nuk përjashtohet mundësia derisa nuk ka arsye”, ka theksuar ai.

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, në një prononcim për Gazetën ‘Enigma’ ka theksuar se me rritjen e rasteve pozitive nga COVID-19, duhet të ketë edhe shtrëngim të masave.

“Duke u bazuar në rastet që i kemi ditëve të fundit, duhet të kërkohet certifikata e vaksinimit për punëtor që janë në punë shtetërore dhe në sektorin privat ku ka frekuecë të madhe njerëzish si në markete të ndryshme, restauronte dhe në kafiteri ose të bëjnë testin PCR në 5, 6 ditë”, ka thënë Ramadani.

Njëherit, ai ka shtuar se “puna online duhet të jetë dominante, kjo gjendje mund të ndikoj në vendet tjera të punës, në shkolla dhe në fakultete”.

Ministria e Shëndetësisë

Mbi 17 mijë persona në Kosovë kanë marrë tashmë edhe dozën përforcuese të vaksinës anti-COVID, ndërkaq së bashku me mbi 2 mijë të tjerë që kanë marrë dozën e tretë, ky numër shkon në mbi 19 mijë e 500 doza.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm këtë të shtunë janë administruar rreth 2 mijë 800 doza të vaksinës anti-COVID.

Në raportimin e fundit, bazuar në të dhënat e MSH-së, në Kosovë janë regjistruar 1.251 raste aktive me coronavirus. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 264 raste të reja me COVID-19.

Omicron do shkaktojë 99% vdekje më pak se Delta

Shumë shkencëtarë dhe ekipe kërkuesish janë duke studiuar variantin e ri të koronavirusit Omicron, i cili është vërtetuar që është më i transmetueshëm dhe tashmë mund të konsiderohet si dominant në të gjithë botën, për të kaluar Deltën në vend të dytë.

Por, lajmi i mirë vjen nga Universitetit i Uashingtonit, studiuesit e të cilit parashikojnë se Omicron do të shkaktojë 99% vdekje më pak nga paraardhësi i tij Delta./Gazeta Enigma/

Related Articles