A po e dëmtojnë ekonominë e vendit zgjedhjet në kohë pandemie, flasin ekspertët

A po e dëmtojnë ekonominë e vendit zgjedhjet në kohë pandemie, flasin ekspertët

Më 17 tetor të këtij viti, Kosova pritet ta mbajë procesin e tretë të rregullt zgjedhor për institucionet e nivelit lokal, që nga shpallja e pavarësisë, shkruan Gazeta “Enigma”.



Gjatë fushatës në nivel lokal, subjektet politike kanë të drejtë të shpenzojnë afër 1 milion euro për një fushatë zgjedhore, ka bërë të ditur për Gazetën “Enigma”,  Valmir Elezi nga KQZ.

Në mbledhjen e mbajtur më 19 qershor të këtij viti, sipas vendimit të KQZ-së, kufiri i sipërm i shpenzimeve është në shumën: 950 mijë e 633 euro dhe mbështetet në listën jopërfundimtare të votuesve, e cila përmban: 1 milion e 894 mijë e 254 votues.

“Duke u mbështetur në rregullën zgjedhore të KQZ-së për kufizimin e shpenzimeve të fushatës, kufizimi i shpenzimeve të fushatës për komunat të cilat kanë më shumë se 5 mijë votues është 0.5 euro për votues të regjistruar në komunën përkatëse, ndërsa për komunat të cilat kanë më pak se 5 mijë votues, subjekteve politike ju lejohet të shpenzojne deri në 0,7 euro për votues të regjistruar në atë komunë”, ka thënë Elezi.

Ndërkohë, sipas ligjit, subjektet politike obligohet ta raportojnë tek KQZ, secilën të hyrë dhe shpenzim që bëhet para, gjatë dhe pas fushatës.

Në anën tjetër ligji nuk parasheh një obligim të ngjashëm për kandidatët për deputet, kryetarë komunash apo anëtarë të kuvendeve komunale, që të njëjtit të ndërmarrin ndonjë veprim për raportimin e të hyrave dhe shpenzimeve të tyre në kohë fushate.

Për këtë  mosraportim, nga “Demokracia për veprim” kanë thënë se ky fakt, përpos që afekton transparencën e procesit, ndikon drejtpërdrejtë në parimin e garës së barabartë, po ashtu përkthehet në shkelje të vazhdueshme të tavanit të shpenzimeve nga ana e subjektit politik.

Gjithashtu ata kanë theksuar se nga anketat e vazhdueshme me subjektet politike, të cilat KDI i ka realizuar para fillimit të fushatave zgjedhore, del se shumica e subjekteve politike janë jo transparente në dy drejtime fillimisht sa i përket mënyrës së financimit dhe shpenzimit të parave gjatë fushatës dhe më pas edhe mënyrës së shpërndarjes së parave në nivel të degëve apo kandidatëve.

Sipas tyre në një krahasimi i asaj që kanë vëzhguar dhe më pas raportuar gjatë fushatave zgjedhore, ka një shpërputhje të madhe në mes shpenzimeve reale dhe atyre të deklaruara për KQZ-në apo publikun.

“Ambiente luksoze, salla të mëdha sportive, restorante të shtrenjta, rekuizita, bina dhe këngëtar, zërim e ndriçim, autobusë e makina, sporte reklamuese e reklama në rrjete sociale, janë vetëm disa nga shpenzimet që DnV ka arritur ti llogarisë me çmimet e tregut dhe përfundimi del se shpenzohet shumë më shumë se sa raportohet”, thuhet në raportin e KDI.

Zgjedhjet në kohë pandemie dhe ndikimi i tyre në ekonominë e vendit

Në një prononcim për Gazetën “Enigma” njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka thënë se Kosova ka ngecur, sepse sipas tij, organizimi i zgjedhjeve lokale në tetor të 2021 do ta dëmtoj shumë ekonominë e Kosovës.

“Është e vërtet se në Kosovë agjenda politike është duke dominuar, dhe një dominim i tillë po i anashkalon proceset tjera që janë të rëndësisë së pa kontestuar, në rend të parë po e ngadalëson procesin e luftës kundër pandemisë COVID-19, por po ndikon drejtë për së drejti edhe në ekonomi”,  ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka shtuar se në kohën e  pandemisë, Kosova ka pasur tri qeveri me dy palë zgjedhje dhe se është në prag edhe të  zgjedhjeve tjera, gjë e cila sipas tij e dëmton rëndë buxhetin shtetëror.

“Një pandemi, të cilën e karakterizon, një çrregullim enorm i çmimeve në brezat botërore, do të thotë kohë e cila vërtet e ka detyruar Kosovën të shndërrohet në shoqëri të varur nga importit” ka theksuar ai.

Sipas Gërxhaliut më e arsyeshme do të ishte të shkurtohet fushat zgjedhore sepse në të kundërtën Kosova do të goditet edhe në shumë dimensione sidomos në aspektin ekonomik dhe social.

“Besoj se duhet të shkurtohet koha e kampanjës zgjedhore, duhet të ketë monitorim dhe transparencë dhe vërtet duhet të mësojmë që në të ardhmen të paktën në kohë pandemie të mos eksperimentojmë me zgjedhje të tilla, qoftë në nivel lokal apo atë qendror, sepse Kosova po goditet në shumë dimensione e në veçanti në aspektin ekonomik dhe social”, ka shtuar ai.

Ndryshe, periudha e fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale ka nisur sot, më 16 shtator dhe përfundon më 15 tetor.

Related Articles