Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, apelon qytetarët që t’i bartin maskat në ambiente të mbyllura dhe të vaksinohen, raporton Gazeta Enigma.
IKSHPK thotë se pandemia akoma nuk ka mbaruar dhe në vende të ndryshme të botës po regjistrohen raste të shumta të COVID-19.
LEXO EDHE: Shifra shqetësuese të vdekjeve dhe infeksionit nga COVID-19 – A pritet të ketë një valë të re në Kosovë?
“Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që të vaksinohen”, thuhet në apel.
Apeli i plotë i IKSHPK-së:
Të nderuar qytetarë!
Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni!
Ju lutemi për kujdes të shtuar ndaj COVID-19!
Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia akoma nuk ka mbaruar.
COVID-19 në Kosovë shënon trend të rritjes së rasteve të reja, fatkeqësisht sot kemi të regjistruar dy raste fatale të cilët kishin sëmundje shoqëruese.
IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.
Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që të vaksinohen.
MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që rritja e rasteve me COVID-19 kërkon edhe masa parandaluese andaj duhet të të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse duke zbatuar vendimet e Qeverisë, duke bartur maska në të gjitha ambientet e mbyllura, distancë, higjienë, dezinfektues për duar në të gjitha institucionet publike e private dhe të vaksinohen kundër COVID-19.