“Policia dhe mekanizmi tjetër i sigurisë duhet që ndaj grupeve terroriste të ushtrojnë mbikëqyrje edhe më të rreptë, duke i monitoruar edhe më shumë lëvizjet e tyre në mes llojit të tyre dhe kështu të ju pamundësohet shtrirja horizontale në territorin e Kosovës”, kështu është shprehur në një prononcim për Gazetën “Enigma”, eksperti i sigurisë, Drizana Shala.
Sipas Shalës, lufta kundër terrorizmit është një luftë e gjatë e cila në vete ka shumë elemente të panjohura të cilat duhet analizuar që të bëhet parandalimi adekuat.
“Grupet terroriste pas shpërbërjes së Shtetit Islamik janë tkurrur në grupe të vogla, ku ende ka mbetur doktrina e tyre për një kalifat islamik që janë duke e ndjekur. Grupet e tilla siç po shihet kanë për qëllim përgatitjet e sulmeve të cilat mund të manifestohen në forma të ndryshme, kundër infrastrukturës së vendit apo ndonjë qëllimi ideologjik të tyre”, ka thënë ai.
Edhe Fadil Kajtazi, njohës i çështjeve të sigurisë, në një deklaratë për Gazetën “Enigma”, ka thënë se Kosova si pozicion gjeografik, si përbërje kombëtare dhe fetare, është në situatë të cenueshme nga grupacionet terroriste.
“Tani aktive janë aktivitetet e grupeve të frymëzuara nga ideologjia ekstreme me bazë islamin politik dhe aktiviteti i grupimeve terroriste të serbëve që mbështeten nga shërbimet inteligjente serbe. Këtë aktivitet në Kosovë e favorizon përkatësia fetare e shumicës së popullsisë së Kosovës, por edhe pozicioni gjeopolitik, si dhe pretendimet terrotoriale të Serbisë ndaj Kosovës”, ka theksuar Kajtazi.
Tutje, ai ka thënë se Kosova, ka të ngritura kapacitete profesionale që të zbuloj, dokumentoj dhe parandaloj veprimtaritë terrorriste .
Pas një hetimi disa mujorë, të dielën në Kosovë, Prokuroria Speciale ka arrestuar pesë persona si të dyshuar për terrorizëm.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale ‘Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës’”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë së Kosovës pas përfundimit të aksionit të arrestimit të pesë personave të dyshuar për terrorizëm.
Gjatë kësaj bastisje ishin gjetur materie eksplozive, armë të zjarrit , dron, si dhe armë anti-tankë. /Gazeta “Enigma”/