A po rrezikohet Kosova për një pandemi të re? Infektologu jep detaje për “Enigmën”

A po rrezikohet Kosova për një pandemi të re? Infektologu jep detaje për “Enigmën”

Një virus i ri ka shpërthyer në Kinë dhe ka ngjallur shqetësime globale për mundësinë e përhapjes së tij në nivel ndërkombëtar, shkruan Gazeta “Enigma”.

Infektologu Xhevat Demiri në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka theksuar se është ende herët për të vlerësuar nëse ky virus mund të çojë në një pandemi.

“Nuk mundemi të parashikojmë asgjë, por mos të harrojmë kemi një kujtim jo të mirë nga COVID-i që po ashtu ishte një virus që fillet i kishte në Kinë”, tha ai.

Tutje ai i bërë thirrje qytetarëve për kujdes dhe ndërgjegjësim të vazhdueshëm, duke theksuar se ndjekja e udhëzimeve mjekësore dhe ruajtja e higjienës personale janë hapa të rëndësishëm për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive.

“Nuk duhet të kemi frikë, por kujdes po”, tha ai.

Demiri ka treguar edhe simptomat e këtij virusi dhe ka treguar se kush janë më rrezikuarit nga ky virus.

“Kolla e that, ethe, rrjedhje e hundëve, teshtitje, dhimbje fyti, duke shtuar që pak më von do të ketë edhe fishkëllime apo krepitaciome në mushkri, e që jo rallë zhvillohet pneumoni labare e mushkrive, e rrallherë edhe infiltrat i mushkrive”, deklaroi Demiri për “Enigmën”.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të cilët kanë dhënë Informata bazike mbi metapneumovirusin njerëzor (hMPV).

Autoritetet më të larta botërore të shëndetësisë nuk e kanë cilësuar situatën lidhur me human MetaPneumovirusin si një emergjencë globale shëndetësore.

Tutje autoritetet shëndetësore kudo kanë forcuar sistemet e monitorimit të sëmundjeve ngjitëse dhe kanë rritur kujdesin.

Në këtë aspekt, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën e OBSH-së në Kosovë ndan për qytetarët disa nga informacionet bazike lidhur me metapneumovirusin me qëllim që publiku të jenë të informuar dhe të rris masat e kujdesit parandalues.

Informata bazike mbi metapneumovirusin njerëzor (hMPV)

A ka epidemi të re në Kinë?

Qendra kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve publikon raporte javore mbi monitorimin e sëmundjeve të ngjashme me gripin. Raportohet se, siç pritet për këtë periudhë të vitit (dimri në hemisferën veriore), ka rritje mujore të infeksioneve akute respiratore, përfshirë gripin sezonal, virusin respirator sincicial (RSV) dhe metapneumovirusin njerëzor. Niveli i raportuar i aktivitetit të gripit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është më i ulët.

Çka është metapneumovirusi njerëzor?

Metapneumovirusi njerëzor (hMPV) është virus i zakonshëm respirator. Ai është zbuluar për herë të parë në vitin 2001 nga shkencëtarët holandezë. Dihet se shkakton sëmundje të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes. hMPV ndjek model sezonal vjetor si gripi dhe RSV, dhe zakonisht arrin kulmin në dimër ose në fillim të pranverës.

Si përhapet hMPV?

hMPV ka më shumë gjasa të përhapet nga personi i infektuar tek të tjerët përmes:

• Pikave gjatë kollitjes dhe teshtitjes;

• Kontaktit të ngushtë personal, si puthja, prekja ose shtrëngimi i duarve;

• Prekja e objekteve ose sipërfaqeve që kanë virusin mbi to dhe më pas prekja e gojës, hundës ose syve.

Cilat janë simptomat?

Simptomat përfshijnë kollë, ethe, kongjestion nazal dhe fishkëllimë. Shumica e rasteve të hMPV janë të lehta, me simptoma të ngjashme me të ftohtin e zakonshëm. Patogjenët respiratorë, përfshirë gripin sezonal, RSV dhe hMPV, mund të paraqesin rreziqe për personat më të ndjeshëm, përfshirë fëmijët e vegjël, personat me imunitet të dobësuar dhe të moshuarit.

Kush është në rrezik nga hMPV?

Rastet e rënda mund të rezultojnë me bronkit ose pneumoni veçanërisht tek foshnjat, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar. Personat me kushte paraprake të mushkërive, si astma, sëmundja pulmonare obstruktive kronike (COPD) ose emfizema janë në rrezik më të shtuar për pasoja më të rënda.

Si të parandaloni përhapjen e hMPV?

Për të parandaluar përhapjen dhe për të reduktuar rreziqet e shkaktuara nga patogjenët respiratorë, duhet të ndiqen masa të thjeshta. Këto masa përfshijnë: qëndrimin në shtëpi kur jeni të sëmurë, ndjekjen e këshillave mjekësore për kujdesin, mbajtjen e maskave në hapësira të mbushura me njerëz ose të ajrosura dobtë, mbulimin e kollës dhe teshtitjes me pecetë ose bërryl të përthyer, praktikimin e larjes së rregullt të duarve, shmangien e prekjes së syve, hundës ose gojës me duar të palara dhe marrjen e vaksinave të rekomanduara kundër gripit sezonal, sipas këshillave të mjekut dhe autoriteteve lokale të shëndetit publik.

A ka trajtim/vaksinë kundër hMPV?

Aktualisht, nuk ka trajtim specifik ose vaksinë për hMPV dhe kujdesi mjekësor është kryesisht simptomatik dhe virusi zakonisht kalon vetë. Për të lehtësuar simptomat dhe nëse këshillohet nga profesionisti i kujdesit shëndetësor, pacientët mund të përdorin barëra pa recetë për të kontrolluar dhimbjen dhe ethet. Për pacientët me fishkëllimë dhe kollë më të rëndë, mjekët mund të përshkruajnë inhalator të përkohshëm.

Kujtojmë që autoritetet shëndetësore ndërkombëtare po monitorojnë situatën. Megjithatë, ata nënvizojnë se frika nuk është një zgjidhje, por masa të informuara dhe të koordinuara për sigurinë e shëndetit publik. /Gazeta Enigma/

Related Articles