Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë subjekti i saj është duke shkuar drejt reformës dhe se roli i tyre në Kuvend ka qenë shumë konstruktiv.
Pas rezulatit të dobët që PDK-ja mori në zgjedhjet e 14 shkurtit, kjo parti shpalli zgjedhjet e brendshme dhe tani ka një kryesi të re. Citaku thotë se kjo është provë për reformat që po ndodhin brenda subjektit.
“Kemi lexuar me kujdes rezultatin e zgjedhjeve dhe po sillemi ashtu sic na ka kërkuar votuesi, por duke shikuar edhe kërkesat e votuesve të partive tjera”, thotë ajo.
Ajo shton se kjo që ka ndodhur brenda PDK-së është vetëm fillimi dhe se qëllimi është rikthimi si partia më e madhe në Kosovë.
“PDK do të ndryshojë, jemi vetëm në fillim të reformës”, thotë ajo në T7.
Citaku tregon edhe rolin e PDK-së në pozitë, duke thënë se PDK po tregohet opozitë konstruktive dhe nuk po bën rolin që kishte VV-ja në të kaluarën kur kundërshtonte gjithçka.
“Ne jemi konstruktivë. Nuk pajtohem me ata që thonë se jemi opozitë e butë pasi që ne kemi kundërshtuar ashpër vendimet që nuk janë në dobi të vendit”, përfundoi ajo.