Mantelbardhët tash e disa kohë kanë paralajmëruar protesta, me kërkesën kryesore kundrejt Qeverisë, që sa më të shpejtë të procedohet ligji për paga. Ndonëse një kërkesë e tillë ende nuk ka marrë epilogun e duhur, Ministria e Shëndetësisë po qëndron e heshtur karshi këtij procesi, derisa vendi rrezikohet nga greva e këtij sektori, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në lidhje me këtë çështje në një prononcim për Gazetën “Enigma”, është deklaruar Blerim Syla, Kryetar i Sindikatës së Mjekëve.
Ai ka thënë se është vetëm një kërkesë e vetme drejtuar Qeverisë së Kosovës, e cila ka të bëjë me ligjin e pagave.
“Qeveria sipas planit të vet legjislativ ka qenë dashur që ligjin e pagave t`a dërgoj në kuvend me daten 29 të muajit tetor, por edhe këtë afat e ka kaluar. Kjo është shkelje nga ana e tyre”, ka theksuar Syla.
Tutje ai ka thënë se sipas burimeve të tyre, Qeveria po punon në mënyrë të fshehtë sa i përket draftligijit dhe sipas tyre ata nuk kanë asnjë informacion në lidhje me këtë.
“Kërkojmë transparencë sepse duhet që palët e interesit të përfshihen në të. Më e rrezikshmja është se këta po planifikojnë që mos ta fusin në buxhet këtë kërkesë, të paktën, ne e dimë se nuk figuron në projekt buxhetin e vitit 2022, dhe me këtë dëmtohen jo vetëm punëtorët shëndetësor por shumica e punëtorëve në sistemin publik” është shprehur Syla.
“Federata e Sindikatave të shëndetësisë, kërkon që të përfshihemi në këto grupe. Ky ligj duhet të aprovohet para vitit të ardhshëm dhe të parashihet që implementimi i saj të jetë deri në vitin 2022”, ka deklaruar ai.
A do të ketë Grevë?
Në pyetjen tonë se si do të jenë hapat në vazhdim, në rast të mos realizimit të kërkesave të tyre, ai ka treguar se po mendohet për një grevë të përgjithshme.
“Të hënën protesta e dytë do të realizohet në mënyrë të qetë për shkak të kushteve të pandemisë, dhe nëse nga Qeveria e Kosovës nuk reflektojnë, atëherë do të futemi në grevë të përgjithshme”, ka thënë Syla.
Të njëjtat kërkesa sikurse Syla, i ka ripërsëritur edhe Fitim Havolli nga Sindikata e Infermierëve.
“Kërkesat tona janë të ditura moti kohë dhe janë drejtuar institucioneve relevante. Sa i përket protestës më 11 nëntor, nuk kemi pas ndonjë koordinim sepse jemi dy institucione të pavaruara, por kuptohet që kërkesat tona janë të përbashkëta”, ka deklaruar ai për Gazeta “Enigma”.
Tutje Havolli ka theksuar se janë duke pritur momentin e caktuar që ta organizojmë një protestë më të madhe në koordinim me Oden e infermierëve.
Gazeta “Enigma”, në lidhje me këtë çështje, ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, por këta të fundit nuk janë deklaruar.
Kjo protestë, sipas Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, do të organizohet me qëllim të sensibilizimit të opinionit dhe udhëheqjes vendore lidhur me gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësor. /Gazeta “Enigma”/